Kontrolle të imtësishme janë zhvilluar në burgun e Durrësit në kuadër të verifikimeve për pajisje celulare të paligjshme brenda institucionit.
Operacioni është kryer nga forcat operacionale të burgjeve, të cilat kanë ushtruar kontrolle të detajuara në ambiente të ndryshme, përfshirë edhe qelitë e të ashtuquajturve të burgosur ‘VIP’, mes tyre Erion Veliaj, Ilir Beqaj dhe Aurel Zarka.
Sipas burimeve nga institucioni, gjatë kontrolleve nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm.
Këto veprime vijnë pas një kërkese të bërë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila një ditë më parë kishte kërkuar kontrolle specifike për aparate telefonike në këtë institucion.
Gjithashtu, është kërkuar edhe lista e personave që kanë zhvilluar takime me Erion Veliajn.
Sipas burimeve, kërkesa për kontrolle lidhet edhe me zhvillimet e fundit në një proces gjyqësor administrativ, ku kryebashkiaku i Tiranës ka ngritur akuza lidhur me mënyrën e emërimit të një prej prokurorëve të çështjes.
Lini një Përgjigje