TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Prill 2026, 13:45

Resorti i Ulajt në Rrjoll, banori: Dje më futën brenda si kriminel teksa po prisja Ramën në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti
Resorti i Ulajt në Rrjoll, banori: Dje më futën brenda si
Banorët e Baks-Rrjollit

Banorët e Baks-Rrjollit dolën këtë të mërkurë në protestë para Prokurorisë së Shkodrës, duke denoncuar zvarritjen e hetimeve për çështjen e pronave të tyre.

Sipas tyre, prej më shumë se një viti dosja ndodhet në zyrat e institucionit pa përfunduar hetimet, ndërsa pretendojnë se janë ndryshuar edhe pyetjet drejtuar ekspertëve topografikë, duke devijuar drejtimin e procesit.

Protestuesit kërkuan një takim me prokurorin e çështjes ose me drejtuesin e Prokurorisë, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Ne jemi këtu për të protestuar për kallëzimin që kemi bërë që para një viti dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Këtu ka ndërhyrje. Ne kemi ardhur keëtu për të kërkuar drejtësi. Dua të them që unë do t’i shkoj deri në fund. Dokumentet që ka Fatmir Shpellzaj i ka të falsifikuar. Te drejtësia nuk kam besim, por besimin do ta marrim me zor. Kjo çështje do të shkoj lart e më lart deri në Starsburg”, tha Prek Molla, banor.

“Kemi që në nëntor që kërkojmë përgjigje. Kërkojmë një takim me Prokuroren e çështjes ose titullarin e institucionit për të parë deri ku kanë shkuar hetimet. Kërkojmë që Prokuroria të hetojë dokumentet e Fatmir Shpellzës që janë të falsifikuara. Nuk kanë pse të na zvarrisin”, tha një banore tjetër.

Ndërkohë, një nga protestuesit, Gëzim Pjeshka, i cili u shoqërua një ditë më parë në komisariat gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama në Lezhë, rrëfeu për incidentin.

Sipas tij, ai po qëndronte në një stol kur u shoqërua nga policia dhe u mbajt për rreth pesë orë në komisariat.

"Kërkoj drejtësi që prej një viti, po tallen me ne, na marrin dhe na fusin në burg. Dje në orën 16:15 më kanë marrë më kanë futur brenda teksa po rrija në stol po prisja Ramën në Lezhë. Kryeministri është edhe i imi, nuk është vetëm i socialistëve. Çfarë jam unë kriminel, më thanë nuk ke dokument identifikimi, më mbajtën pesë orë kot. Fatkeq Shpellzën atë çoni në burg. Nuk do të dorëzohem derisa të kem frymë, ato janë pronat e fëmijëve të mijë", tha ai.

Prej rreth tre muajsh, banorët e Baks-Rrjollit kanë vijuar protestat kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë. Projekti “Blu Borgo”, i cili po zhvillohet në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, ka nisur në fillim të shkurtit pas marrjes së lejes së ndërtimit nga biznesmeni Bashkim Ulaj.

Ky projekt parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me ndërtesa nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është kompania “ABA Blue Borgo”, e cila mban statusin e investitorit strategjik.

Lini një Përgjigje