Banorët e zonës së Baks-Rrjollit protestuan këtë të mërkurë para Prokurorisë së Shkodrës, duke kërkuar përfundimin e hetimeve që, sipas tyre, janë zvarritur prej më shumë se një viti për çështjen e pronave.
Gjatë protestës, ata denoncuan se dosja po mbahet peng në institucion dhe se procesi hetimor është devijuar qëllimisht, duke përmendur edhe ndryshimin e pyetjeve drejtuar ekspertëve topografikë.
Banorët kërkuan një takim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e Prokurorisë, ndërsa paralajmëruan se do të vijojnë protestat deri në zbardhjen e plotë të çështjes.
Situata është përshkallëzuar edhe më tej pas një ngjarjeje të ndodhur një ditë më parë në Lezhë, ku Gëzim Pjeshka, një nga përfaqësuesit aktivë të komunitetit, u shoqërua në polici gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama.
Vetë Pjeshka ka deklaruar për mediat se ndërhyrja e policisë ishte e pajustifikuar, duke e cilësuar atë si presion ndaj banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë.
Prej rreth tre muajsh, banorët e Baks-Rrjollit kanë organizuar kundërshtime të vazhdueshme ndaj këtij projekti, të cilin e konsiderojnë si një cenim të pronave të tyre dhe një kërcënim për mjedisin.
Lini një Përgjigje