Me emërimin e krerëve të rinj të policisë dhe SPAK, duket se ka nisur një frymë e re bashkëpunimi mes dy institucioneve. Gjatë kohës së Dumanit, bashkëpunimi ishte ftohur...
Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita është parë sot në ambientet e SPAK.
Mësohet se ai zhvilloi këtë të mërkurë një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, në ambientet e këtij institucioni.
Hita u pa të hynte në godinën e SPAK me automjet nga hyrja kryesore, rreth mesditës, ndërsa burime bëjnë me dije se në fokus të takimit kanë qenë çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional mes Policisë së Shtetit dhe strukturës së posaçme të hetimit.
Ky takim shënon herën e parë që kreu i SPAK pret në një takim zyrtar Skënder Hitën, pas emërimit të këtij të fundit në krye të Policisë së Shtetit.
Gjatë kohës që në krye të SPAK ishte Altin Dumani, ka pasur shpesh akuza nga ky i fundit se shumë drejtues policie kanë lidhje me botën e krimit. Ndërkohë vetë Hita kur mori detyrën paralajmëroi se nuk do të ketë tolerim për asnjë. Si duket me emërimin e krerëve të rinj të policisë dhe SPAK do të nisë një frymë e re bashkëpunimi mes dy institucioneve. Po ashtu, ky takim mund të sinjalizojë se SPAK po bëhet gati për goditje të forta, kryesisht në radhët e krimit të organizuar.
Më herët sot, Skënder Hita, zhvilloi takimin e parë me partnerët ndërkombëtarë, me delegacionin nga Qendra për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në EUROPOL (ESOCC). Drejtori Hita siguroi përfaqësuesit e delegacionit për angazhimin dhe vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Ai theksoi se vetëm nëpërmjet bashkëveprimit të ngushtë dhe pa barriera mund të arrihen rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.
Balluku,rama dhe gjithe llumi qe quhet qeveri,a do arrestohen ndonje here?peshqit e vegjel,te vegjel mbeten,duhen kapur peshkaqenet dhe balenat qe te quhet tamam drejtesi e pavarur!do funksiononte ndonjehere Valle?