
Raporti vjetor 2025 i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr një panoramë të rëndë të parregullsive në administratën publike; nga skualifikimi i ofertave më të ulëta dhe pagesat për punime të pakryera, te borxhet e pambledhura, barnat pranë skadencës dhe mungesa e kontrollit financiar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin vjetor të performancës për vitin 2025, ku evidenton një tablo të rëndë shkeljesh, parregullsish dhe dobësish sistemike në menaxhimin e parasë publike. Në total, institucioni ka konstatuar dëm ekonomik dhe parregullsi me efekt financiar në vlerën 26,210,795,000 lekë, ndërsa gjatë vitit ka zhvilluar 190 auditime, ka dhënë 222 opinione dhe ka lënë 4,994 rekomandime.
Shifra prej mbi 26.2 miliardë lekësh e bën raportin e këtij viti një nga më goditësit, ndërsa sipas krahasimit me rreth 10 miliardë lekë një vit më parë, rezulton një rritje e fortë e dëmit të konstatuar. Vetë KLSH raporton se rekomandimet e lëna përfshijnë 3,268 masa organizative, 29 përmirësime ligjore, 975 masa disiplinore dhe administrative, si edhe masa për shpërblim dëmi dhe për adresimin e efekteve negative financiare.
Në thelb, raporti flet për një administratë ku, sipas gjetjeve të auditit, problemet nuk kufizohen në raste sporadike, por shtrihen nga planifikimi i buxhetit, te prokurimet publike, mbledhja e të ardhurave, kontrolli mbi barnat, menaxhimi i pasurive shtetërore, mjedisi, ujësjellësit, energjia dhe deri te siguria kibernetike. KLSH thekson se këto problematika cenojnë besueshmërinë e raportimit financiar, transparencën, llogaridhënien dhe rrisin riskun për keqmenaxhim të fondeve publike.
Një nga gjetjet më të forta lidhet me pasqyrat financiare të shtetit, të cilat sipas auditimit nuk janë hartuar dhe dorëzuar plotësisht në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e raportimit publik. Raporti evidenton mungesë rakordimesh mes viteve financiare, mosregjistrim të plotë të aktiveve dhe detyrimeve, keqklasifikim të të ardhurave dhe shpenzimeve, si edhe mungesë të procedurave efektive për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura. KLSH ngre shqetësim edhe për mosregjistrimin e plotë të pasurive, mungesën e inventarizimit fizik dhe dobësitë në sistemet e kontrollit të brendshëm.
Në fushën e prokurimeve publike, raporti rendit një seri shkeljesh që prekin drejtpërdrejt konkurrencën dhe çmimin final që paguan shteti. Sipas KLSH, procedurat janë planifikuar shpesh pa u mbështetur në nevoja reale, fondet limit janë përllogaritur me mangësi, ndërsa kriteret e kualifikimit në disa raste nuk kanë qenë në përputhje me natyrën dhe kompleksitetin e kontratës. Më tej, auditimi evidenton raste kur janë kualifikuar operatorë që nuk plotësonin kriteret, ndërsa operatorë të tjerë janë skualifikuar në të njëjtat kushte si fituesit, duke sjellë trajtim të pabarabartë. Në një sërë rastesh, ofertat më të ulëta janë skualifikuar dhe procedura ka vijuar me oferta më të larta, me efekt negativ për buxhetin. Po ashtu është konstatuar edhe copëzim fondesh për të shmangur procedurat e hapura të prokurimit, si dhe pagesa për punime të pakryera, mungesë penalitetesh, amendime kontratash në shkelje të ligjit dhe mungesë dokumentacioni teknik.
Një tjetër bllok alarmi lidhet me tatimet dhe doganat, ku raporti flet për rritje të borxhit të papaguar dhe për dobësi serioze në ndjekjen e tij. Sipas auditimit tematik në Tatime, në fund të vitit 2024 detyrimet tatimore të papaguara kanë arritur në 162.5 miliardë lekë, me një rritje prej 7.37 miliardë lekësh krahasuar me fundin e vitit 2023. Pjesa dërrmuese e këtij borxhi është e vjetër, ndërsa strukturat e ndjekjes nuk funksionojnë mbi një sistem të integruar e të automatizuar. Nga ana tjetër, në Dogana, niveli i detyrimeve të papaguara paraqitet në 48.6 miliardë lekë, me rritje vjetore, ndërsa KLSH evidenton mijëra raste ku nuk janë ndërmarrë në kohë veprime për rikuperim, nuk është kërkuar urdhër ekzekutimi ose nuk janë bllokuar llogari e asete.
Raporti është veçanërisht i ashpër edhe me sektorin e shëndetësisë. KLSH evidenton mangësi në kontrollin dhe monitorimin e barnave të rimbursueshme, mospërputhje mes inventarit fizik dhe të dhënave në sistem, dobësi në kontrollin e depove, farmacive, mjekëve dhe spitaleve, si dhe vonesa e mungesa në furnizim. Auditimi ka konstatuar qarkullim barnash me afat skadence shumë të afërt, mosaplikim penalitetesh ndaj subjekteve të kontraktuara dhe shpërndarje të barnave spitalore në rrjetin e hapur në kundërshtim me ligjin. Në një tjetër gjetje të rëndë, nga të dhënat e sistemit “e-depo” janë konstatuar 102,778 njësi barnash të dala nga depot me datë skadence të njëjtë me datën e hyrjes në farmaci, si dhe 143,598 njësi me afat skadence vetëm 1 deri në 5 ditë pas daljes nga depot. Po ashtu, auditimi ka evidentuar edhe deklarim fiktiv dhe rimbursim të padrejtë në vlerën 216.9 milionë lekë.
Probleme të rënda janë konstatuar edhe në planifikimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit. KLSH flet për vonesa në kërkesat buxhetore, investime të futura jashtë dokumenteve strategjike, rishikime të shumta të buxhetit dhe kontrata të regjistruara me vonesë. Vetëm në auditimin mbi planifikimin dhe zbatimin e buxhetit në Ministrinë e Financave, janë evidentuar mijëra raste pagesash për detyrime të viteve të mëparshme, kontrata të lidhura përtej afateve, tejkalim i kufijve buxhetorë dhe klasifikime të pasakta të fondeve. KLSH konstaton gjithashtu se suficiti fiskal i akumuluar gjatë muajve janar-nëntor është shpenzuar plotësisht në dhjetor, duke krijuar deficit rreth 17 miliardë lekë, çka sipas audituesve reflekton mungesë planifikimi të qëndrueshëm dhe rritje të riskut fiskal.
Në raport përmenden edhe raste konkrete me efekte të forta financiare në institucione të ndryshme. Në Ministrinë e Financave, auditimi ka evidentuar efekte negative në vlerën totale 5.1 miliardë lekë, të lidhura me garancitë shtetërore joperformuese, detyrimet nga marrëveshjet e nënhuasë dhe kostot shtesë nga mosekzekutimi në kohë i vendimeve të GJEDNJ. Në Ministrinë e Bujqësisë janë konstatuar diferenca në volume pune të pakryera dhe efekte negative mbi fondet publike; në Ministrinë e Shëndetësisë janë evidentuar skualifikime të padrejta operatorësh ekonomikë dhe mungesë mbikëqyrjeje mbi kontratat e barnave; ndërsa në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit janë konstatuar edhe raste dëmi ekonomik nga llogaritje të gabuara dhe punime të pakryera.
Alarmi shtrihet edhe te siguria ushqimore, ku KLSH thotë se sistemi i kontrollit zyrtar paraqet mangësi thelbësore përgjatë gjithë zinxhirit, nga importi te testimi laboratorik dhe asgjësimi i produkteve. Sipas raportit, vetëm rreth gjysma e laboratorëve kanë teste të akredituara, ndërsa fusha të tëra me rëndësi kyçe kanë mbulim minimal ose zero. KLSH paralajmëron se kjo rrit mundësinë që në treg të qarkullojnë produkte të pasigurta ose të kontaminuara.
Në mjedis, gjetjet flasin për mangësi në monitorim, mosrespektim të kushteve të lejeve, mungesë dokumentimi dhe kontroll të dobët në terren. Raporti përmend ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës, mungesën e analizave mikrobiologjike, mosidentifikimin e shkaktarëve të ndotjes dhe mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu, në Patos-Marinzë janë konstatuar gropa ekologjike që operojnë pa leje dhe menaxhim jo në përputhje me ligjin të mbetjeve të rrezikshme.
Edhe në energjitikë dhe ujësjellës-kanalizime, raporti jep sinjale të forta. Humbjet e energjisë në rrjet rezultojnë nga 12% deri mbi 33%, ndërsa në sektorin e ujit KLSH konstaton se nga 14 shoqëri ujësjellësish vetëm 6 disponojnë laboratorë, duke vënë në pikëpyetje analizat e ujit të pijshëm. Përmenden gjithashtu pagesa të pajustifikuara në projekte, vonesa në zbatim, mungesë kontrolli dhe probleme serioze në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, veçanërisht në rastin e Vlorës.
Në pjesën e teknologjisë së informacionit, KLSH flet për mungesë politikash dhe procedurash të formalizuara, dobësi në sigurinë kibernetike, mungesë firewall-i, antivirusi, enkriptimi e mekanizmash monitorimi, si dhe për përdorues me të drejta administrative pa kufizimet e nevojshme. Kjo, sipas auditimit, rrit ekspozimin ndaj incidenteve të sigurisë dhe cenon integritetin e të dhënave publike.
Raporti mbyllet me një tjetër tregues domethënës: gjatë vitit 2025, KLSH ka dërguar 8 kallëzime penale dhe ka përcjellë edhe 43 materiale të tjera për organe ligjzbatuese, për raste ku auditimi ka konstatuar shkelje të rënda që kërkojnë hetim të mëtejshëm. /Pamfleti
No comment
Nje top m*ti te madh ne parlamentin e shtetit te gangpordhsterave dhe nje bilete pa kthim ne perëndimin kapitalist.Kjo eshte zgjidhja madhe per ju shqiptare te mire,te drejte te ndershem dhe punetore.