Ndërsa vëllai i tij hetohet nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, kreu i diplomacisë shqiptare nuk ka raportuar asnjë pasuri, shpenzim apo të ardhur tjetër jashtë rrogës...
Ligji Nr. 9049, datë 10.04.2003 detyron funksionarët publikë të deklarojnë pasuritë dhe të ardhurat e tyre e të familjarëve. Megjithatë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë vetëm një deklarim të pjesshëm në vitin 2013 dhe asnjë deklarim për 21 vitet e tjera në shërbimin diplomatik (2003-2026). Ai nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme, shpenzime, dieta, as emrin e bashkëshortes e vendin e punës së saj. Ndërkohë, vëllai i tij, Gëzim Hoxha, po hetohet nga SPAK si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Ergys Agasit, duke ngritur dyshime për nevojën e një hetimi të plotë pasuror ndaj ministrit.
Ligji Nr. 9049, datë 10 prill 2003, detyron një kategori funksionarësh publik të zgjedhur e të emëruar që, pas emërimit, gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore e pas largimit, të deklarojnë të ardhurat dhe pasuritë e tyre, të familjarëve e personave të lidhur me ta.
Por pas nisjes së zbatimit të ligjit, Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka deklaruar vetëm të ardhurat zyrtare për vitin 2013, kur ishte Ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ndërsa gjatë 21 viteve drejtues në shërbimin diplomatik, Ferit Hoxha nuk ka bërë asnjë deklarim të të ardhurave, shpenzimeve e pasurive – i toleruar nga të gjithë drejtuesit e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në vitet 2004-2026.
Edhe për vitin 2013, kur ishte Ambasador në OKB, Ferit Hoxha ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga e tij dhe paga e bashkëshortes si mësuese, pa deklaruar emrin e saj dhe pa treguar në cilin shtet, qytet e institucion arsimor ka punuar, megjithëse sipas ligjit duhet të japë të dhëna të detajuara.

Ai nuk ka deklaruar përbërjen familjare, nuk ka deklaruar asnjë lloj pasurie, madje as shtëpi banimi në pronësi apo me qira në Shqipëri e në shtetet ku ka qenë ambasador, por as të ardhura të tjera, asnjë qindarkë shpenzim, as dietat e honoraret që ka marrë.
Nuk ka deklaruar për vitet 2003-2006, kur ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë dhe i akredituar Ambasador jo-rezident në Portugali e Monako.
Nuk ka deklaruar për vitet 2006-2009, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë pushtetit të PD-së, kohë kur hartoi dosjen për t’i dhuruar Greqisë pjesë të hapësirës detare të Shqipërisë.
Nuk ka deklaruar për vitet 2009-2015, kur ishte përsëri Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork.
Nuk ka deklaruar për periudhën nëntor 2015 - mars 2018, kur ishte Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Nuk ka deklaruar për periudhën prill 2018 - tetor 2021, kur ishte Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë UNESCO-s në Paris.
Nuk ka deklaruar për periudhën shtator 2021 - shkurt 2024, kur ishte përsëri Ambasador pranë OKB-së në Nju Jork.
Nuk ka deklaruar për periudhën mars 2024 - mars 2026, kur ishte Ambasador i Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian.
Megjithëse në çdo detyrë kishte detyrimin ligjor për të bërë deklarim pasuror pas emërimit dhe për çdo vit gjatë ushtrimit të detyrave e pas transferimit.
Nuk kemi informacion nëse Ferit Hoxha ka bërë apo jo deklarim pasuror pas emërimit Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Por sipas ligjit Anti-mafia, SPAK duhet të hetojë pasuritë e ministrit Ferit Hoxha, për shkak të procedimit penal që po i bëhet vëllait të tij, Gëzim Hoxha, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Ergys Agasit./Pamfleti
shifni te trjera gjona se keni me mesu shume per ate person shifni qe nga rinia e deri sot si ariti me hy ne ministrin e jashytme e si u bo ky robi ambasador e tani ministrer