Siç thotë dhe kryeministri Rama, “korrupsion ka edhe në vendet perëndimore”, veçse në ndryshim nga Perëndimi, ne në Shqipëri nuk i dorëzojmë para drejtësisë të korruptuarit...
“Ngjarje të tilla bëhen edhe filma”; “Korrupsion ka edhe në vendet Perëndimore”! Këto janë disa nga frazat më të famshme të qeverisjes socialiste të përdorura për të justifikuar vjedhjet dhe babëzinë e tyre me fondet dhe taksat e shqiptarëve, në këto 13 vite pushtet.
Këto krahasime merren nga qeveria vetëm për të justifikuar kontekstin negativ dhe argumenti nuk vijohet më tutje për të na treguar se si veprojnë këto vende në raste të tilla.
Një skandal i ngjashëm me atë të ndodhur me fondet e IPARD-it në Shqipëri, ka shpërthyer në shtetin fqinj, Greqinë. Pas një hetimi nga Prokuroria Europiane, u nxor se kishte abuzime me fondet e bujqësisë.
Hetimi i çështjes lidhet me ngjarje që datojnë në vitin 2021 dhe përfshin akuza të rënda, duke përfshirë nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimi të paligjshëm. Dosja e plotë është përgatitur nga Prokuroria Evropiane, e cila ka identifikuar një rrjet të organizuar që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga fondet bujqësore.
Ky skandal i madh ka tronditur skenën politike në Greqi, duke çuar në dorëheqjen e 2 ministrave dhe 1 zëvendësministri: Yiannis Kefalogiannis, ministër i Mbrojtjes Civile, Kostas Tsiaras, ministër i Zhvillimit Rural, dhe Dimitris Vartzopoulos, zëvendësministër i Shëndetësisë. Gjithashtu të përfshirë janë edhe 11 deputetë, për të cilët Parlamenti do të mbledhë të martën Komisionin e Etikës, i cili do të diskutojë heqjen e imunitetit për të 11 deputetët, duke lejuar nisjen e hetimeve ndaj tyre.
Skandali gjithashtu ka goditur reputacionin e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar presionin politik mbi qeverinë e tij. Në vendin helen nuk po flitet më për riorganizim të kabinetit qeveritar, por për zgjedhje të parakohshme.
Në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, rasti i fondeve IPARD është shoqëruar që në fillim me një sërë veprimesh nga ana e qeverisë që në praktikë kanë penguar hetimin penal dhe kanë mbrojtur ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, pavarësisht kallëzimit të drejtpërdrejtë nga OLAF dhe ekzistencës së provave të dorëzuara në SPAK.
Në vend të një reagimi të menjëhershëm institucional, Krifca jo vetëm që nuk u shkarkua dhe u hetua, por më vonë u rikthye në strukturat e qeverisë si këshilltare e Kryeministrit.
Gjithashtu, hetimi penal u mbajt për një kohë të gjatë në fazë paraprake nga SPAK, pa avancuar drejt akuzave konkrete, edhe pse sipas materialeve të dorëzuara nga partnerët ndërkombëtarë, dosja konsiderohej e plotë.
Paralelisht, qeveria ndoqi një qasje që fokusohej te rikuperimi i fondeve përmes proceseve administrative dhe civile, duke hapur dhjetëra padi ndaj përfituesve. Ndonëse këto veprime pranojnë në thelb se ka pasur abuzime, ato shmangin adresimin e përgjegjësisë penale të zyrtarëve që kanë mundësuar skemën, duke e zhvendosur vëmendjen nga vendimmarrja politike te përfituesit individualë.
Në të njëjtën kohë, refuzimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar nga ana e PS-së dhe mungesa e transparencës mbi ecurinë e hetimeve kufizoi kontrollin institucional dhe publik mbi çështjen.
Edhe në planin ligjor, ndryshimet e debatueshme në Kodin Penal që lidhen me interesat financiare të BE-së kanë pasur si qëllim favorizimin e të dyshuarve për rastin e fondeve të IPARD-it.
Vetëm pas presionit të vazhdueshëm nga Bashkimi Europian dhe rrezikut të humbjes së fondeve, hetimet kanë nisur të lëvizin, me marrje në pyetje dhe veprime të vonuara procedurale. Megjithatë, deri tani nuk ka ende një zhvillim të qartë drejt përgjegjësisë penale për figurat kryesore të përmendura në dosje.
Siç thotë dhe kryeministri Rama, “korrupsion ka edhe në vendet perëndimore”, veçse në ndryshim nga Perëndimi, ne në Shqipëri nuk i dorëzojmë para drejtësisë të akuzuarit për korrupsion, por i marrim dhe i emërojmë si këshilltarë të ‘Bablokut’./Pamfleti
Lini një Përgjigje