
Me emrin e Amerikës, për llogari të kujt? BNI Foundation, paratë e dyshimta të Mirsad Uruçit dhe roli i ambasadores Guilfoyle në marrëveshjen miliardëshe të Bilishtit...
BNI Foundation ka nënshkruar një marrëveshje 1 miliard euro për mineralet e Shqipërisë, por askush në këtë vend nuk e ka parë këtë fondacion, askush nuk e ka gjetur në asnjë regjistër dhe askush nuk mund të thotë me dorë në zemër se kush qëndron pas tij. Megjithatë, Mirsad Uruçi, biznesmeni që prej vitesh lëviz midis Shqipërisë, EFT-së serbe dhe kompanive offshore, po e shet këtë fondacion si “investitor amerikan” dhe po e fut në lojën e tij më të madhe deri tani: minierat e nikelit dhe kobaltit në Bilisht, një projekt që vlen sa gjysma e buxhetit vjetor të shtetit shqiptar.
Historia fillon para pak javësh, kur grupi grek AKTOR njofton se ka lidhur një marrëveshje kuadër për eksplorimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerale në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për gurë të zakonshëm, por për nikel dhe kobalt, dy nga metalet më strategjike të këtij shekulli, pa të cilët nuk bëhen bateritë e makinave elektrike dhe nuk mund të realizohet tranzicioni energjetik që Perëndimi po e shtyn me çdo kusht. Depozitat e Bilishtit përmbajnë mbi 500 mijë tonë nikel dhe mbi 25 mijë tonë kobalt, çka e bën këtë projekt një nga më të mëdhenjtë në Europë.
Partneri i AKTOR në këtë sipërmarrje është BNI Foundation, i cili sipas njoftimit zyrtar përshkruhet si “kompani rajonale që operon në Ballkan dhe kryesisht Shqipëri”, me kapital amerikan. Në letrat e marrëveshjes, AKTOR Metal merr 51% të sipërmarrjes së përbashkët, ndërsa BNI Foundation merr 49%. Dhe në anën shqiptare, nënshkrues për këtë fondacion është Mirsad Uruçi, por jo në emër të ndonjë selie të madhe në Amerikë, por përmes një shoqërie të quajtur Brightnest sh.p.k., e cila u themelua në tetor të vitit 2025 me një kapital prej 100 lekësh, domethënë afërsisht një euro.


Këtu fillon pjesa ku njeriu pyet veten: si është e mundur që një kompani me kapital një euro të bëhet partnere për një projekt 1 miliard euro?
Përgjigja është se nuk është Brightnest ajo që ka rëndësi, por BNI Foundation, i cili supozohet të sjellë kapitalin amerikan. Por kur Pamfleti filloi të kërkonte se kush është ky fondacion, u përball me një boshllëk të plotë.
BNI Foundation nuk figuron në asnjë regjistër të Qendrës Kombëtare të Biznesit në Shqipëri. Nuk është i regjistruar as si shoqëri tregtare, as si organizatë jo-fitimprurëse, as si fondacion. Nuk ka NIPT, nuk ka adresë, nuk ka asnjë dokument që vërteton se ai operon ligjërisht në territorin shqiptar. Kur i kërkon shtetit shqiptar të të tregojë se kë ka futur në një marrëveshje miliardëshe për pasuritë nëntokësore të vendit, shteti ngre duart lart.
Pastaj shkon te regjistrat ndërkombëtarë. Në Amerikë ekziston një BNI Foundation, por ai është një fondacion bamirësie i regjistruar në Karolinën e Veriut, i cili merret me mbështetjen e fëmijëve dhe nuk ka asnjë lidhje me minierat apo Ballkanin. Në Greqi, ku AKTOR ka selinë, nuk ka asnjë degë të regjistruar. Në Zvicër, në Londër, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Uruçi ka kompani të tjera, nuk gjendet asnjë gjurmë. Pra kemi të bëjmë me një entitet që askush nuk e ka parë, që askush nuk e ka kontrolluar dhe që megjithatë ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje strategjike me një nga kompanitë më të mëdha greke.
A e ka verifikuar AKTOR Group se me kë po lidh marrëveshjen? Sepse në biznesin ndërkombëtar, para se të firmosësh për 1 miliard euro, ti kontrollon partnerin. Nëse AKTOR e ka bërë këtë verifikim dhe ka gjetur diçka, nuk po e thotë.
Nëse nuk e ka bërë, atëherë kemi të bëjmë ose me një neglizhencë të papërballueshme ose me një marrëveshje të ndërtuar mbi një fasadë, ku të dyja palët e dinë se fondacioni është thjesht një emër dhe kapitali amerikan një mit.
Këtu hyn në lojë fotografia që i jep peshë gjithë kësaj historie. Në takimin ku u finalizua marrëveshja, në Tiranë, ishte e pranishme Kimberly Guilfoyle, ambasadorja amerikane në Athinë, e cila u takua me Kryeministrin Edi Rama dhe me presidentin e AKTOR, Aleksandër Exarhos. Në pamjet e takimit shfaqet edhe Mirsad Uruçi. Guilfoyle nuk ka bërë asnjë deklaratë për BNI Foundation, por prania e saj i dha legjitimitet të menjëhershëm skemës. Sepse në Shqipëri, kur sheh një diplomate amerikane pranë një biznesmeni, mendon se ai biznesmen është i pastër. Derisa Departamenti i Shtetit të përgjigjet nëse e njeh BNI Foundation dhe nëse e mbështet atë, fotografia mbetet vetëm një fotografi, dhe Uruçi vazhdon ta shfrytëzojë atë për të mbuluar boshllëkun e madh në qendër të projektit të tij.
Pse ka kaq shumë rëndësi kjo histori? Sepse nikeli dhe kobalti nuk janë gurë të zakonshëm që mund t’i japësh kujtdo. SHBA dhe Bashkimi Europian po kërkojnë me ngulm burime alternative për të reduktuar varësinë nga Kina, e cila kontrollon pjesën më të madhe të përpunimit të këtyre metaleve. Shqipëria, me depozitat e Bilishtit, mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë zinxhir furnizimi. Por nëse të drejtat minerare i jepen një fondacioni fantazmë, që përfaqësohet nga një biznesmen me histori kompanish offshore dhe lidhje me oligarkun serb të energjisë Vuk Hamoviç, atëherë nuk është Perëndimi ai që përfiton. Është i njëjti rrjet i vjetër ballkanik që ka tregtuar energji elektrike për dy dekada dhe që tani po depërton në minierat strategjike.
Pamfleti i ka drejtuar pyetjet haptazi. Mirsad Uruçit: ku është regjistruar BNI Foundation, cilat kompani amerikane qëndrojnë pas tij dhe pse i thoni shqiptarëve se keni kapital amerikan kur nuk paraqitet asnjë provë? AKTOR Group: a e keni verifikuar dokumentacionin e BNI Foundation para se të firmosnit? Ambasadës Amerikane: a e njeh qeveria amerikane BNI Foundation dhe pse ambasadorja Guilfoyle u shfaq në takimin ku ky fondacion finalizonte marrëveshjen?
Derisa të vijnë përgjigjet, BNI Foundation mbetet një fasadë. Një emër pa trup. Një lojë me miliarda që po luhet mbi kurrizin e Shqipërisë dhe të mineraleve të saj. /Pamfleti
Vijon me:
Lidhjen 20-vjeçare të Uruçit me oligarkun serb Vuk Hamoviç, i cili figuron në dosjen e Credit Suisse me miliona franga zvicerane.
Skandalin e lobimit britanik të kryebashkiakut të Londrës Ben Houchen, i cili vizitoi Tiranën pa deklaruar financimin. Një lord britanik u përdor si vegël lobimi nga rrjeti i një oligarku serb të energjisë për të siguruar koncesione në Shqipëri
Padinë e braktisur 110 milionë euro në ICSID nga Arka Energy B.V. e Uruçit.
Qe kur e degjova nga mediat, i shkruajta nje kolegu se ky nuk eshte investim amerikan, por Greko-Serb dhe midis tyre qendron nje shqiptar mafioz: "U paraqit si investim amerikan, nga k/ministri Rama dhe perfundoj kompani Greek-Serbe ku bene pjese edhe nje mafioz shqiptaro-amerikan me kapital investues 100 euro. I njejti model privatizimi si minierat tjera dhe nafta, pa gare, pa tender, pa konkurence, i marrin ca oligarke mafioz te Edi Rames, ku edhe ky vete fshihet pas tyre dhe shteti do mundet te marre vetem taksen minerare 2-3%, nese, dhe asnje lek fitim! Kjo eshte falja e pasurise natyrore minerare dhe mashtrimi qe i behet popullit, e zbuluan mediat se asgje s’do ishe marre vesh. Eh sa gjera jane dhene ne kete forme, gjithe vendburimet e naftes/gazit, minierave, direkt me firmosjen e Rames, dhe prandaj industria naftes dhe ajo minerare perfunduan keshtu, ku shteti s'merre asnje lek fitim dhe ato po shkaterrohen dhe jane bere nje mallikim per popullin!
Cfare behet me kete vend, si ka mundesi qe jepen keto pasuri pa gare, pa tendera, pse nuk i shfrytezon vete shteti, nuk ka ndonje shkence te madhe te nxjerresh keto minerale.