Më 18 Mars 2026, "Grupi Aktor" njoftoi për një marrëveshje 1 miliard euro në Shqipëri me partnerin "BNI Foundation". Hetimi zbulon se partneri real, Brightnest sh.p.k., ka kapital 1 euro dhe zotërohet nga Mirsad Uruçi, administratori i kompanisë së oligarkut serb Vuk Hamoviç (Suisse Secrets). Njoftimi i "Grupit Aktor" fshehu identitetin e partnerit
Më 18 Mars 2026, "Aktor Group", kompania greke e listuar në Bursën e Athinës me kapitalizim tregu 2.14 miliardë euro, njoftoi investitorët se kishte nënshkruar një marrëveshje kuadër me "BNI Foundation" për eksplorim, zhvillim dhe shfrytëzim të burimeve minerale në Shqipëri. Projekti, i përqendruar në depozitat e nikelit dhe kobaltit në Bilisht, premtonte investime deri në 1 miliardë euro. Aksionet e "Aktor" u tregtuan atë ditë ndërsa investitorët e lexonin njoftimin dhe vlerësonin ndikimin e tij në portofolin e kompanisë.
Por njoftimi i "Aktor" nuk u tregonte aksionerëve atë çfarë Pamfleti ka dokumentuar: se partneri i tyre 49% në sipërmarrjen e re, BNI Foundation, nuk është fond amerikan, nuk ka identitet të verifikueshëm, dhe se kompania përmes së cilës u nënshkrua marrëveshja, Brightnest sh.p.k, ka kapital 1 euro dhe zotërohet nga Mirsad Uruçi, administratori i degës shqiptare të EFT Group, kompanisë së oligarkut serb Vuk Hamoviç, i dokumentuar në dosjen Suisse Secrets të OCCRP-së me tre llogari në Credit Suisse.
A e dinte Alexandros Exarchou, kryetari i bordit dhe CEO i "Aktor", se me kë po nënshkruante?
Nëse po, pse nuk ua tregoi investitorëve?
Nëse jo, çfarë hetimi bëri para se të njoftonte tregun?
Çfarë thotë njoftimi zyrtar
Njoftimi i "Aktor Group", i datuar 18 Mars 2026 nga selia në Paiania, Athinë, përdor gjuhë të kujdesshme. Thotë se marrëveshja u nënshkrua mes kompanisë dhe "BrightNest SHPK, a company member of BNI Foundation." BNI Foundation përshkruhet si "organizatë rajonale e diversifikuar me filiale të konsoliduara në sektorë kyçë në Shqipëri dhe më gjerë." Thuhet se BNI Foundation do të kontribuojë "licencat ekzistuese të shfrytëzimit dhe të drejtat përkatëse." Thuhet se mbështetja do të vijë "nga kompani me bazë në SHBA" dhe se "shumica e financimit të jashtëm pritet të vijë nga kapitali amerikan."
Çfarë nuk thotë njoftimi: kush është pronari i Brightnest sh.p.k. Çfarë kapital ka Brightnest. Kur u themelua Brightnest. Ku është regjistruar BNI Foundation. Kush qëndron pas BNI Foundation. A ka lidhje BNI Foundation me çfarëdolloj fondi amerikan. A ka Brightnest ose BNI Foundation përvojë në sektorin minerar.
"Aktor Group", kompani e listuar që i nënshtrohet rregullave të transparencës së Bursës së Athinës dhe Hellenic Capital Market Commission, njoftoi aksionarët për një partneritet strategjik me një entitet pa identitet.
Kush është realisht partneri i "Aktor"
Brightnest sh.p.k u themelua në Tetor 2025 në Shqipëri, vetëm pesë muaj para nënshkrimit të marrëveshjes me "Aktor". Kapitali i saj i regjistruar: 100 lekë, ekuivalenti i 1 euro. Pronar i vetëm: Mirsad Uruçi.
Mirsad Uruçi nuk është biznesmen i panjohur. Ai është administratori i Energy Financing Team Tirana sh.p.k (EFT Tirana), degës shqiptare të EFT Group. Siç ka dokumentuar Pamfleti në bazë të bilanceve zyrtare të depozituara në UK Companies House, pronari përfundimtar i EFT Group është Vuk Hamoviç, oligarku serb i energjisë, përmes fondacionit të tij privat në Lihtenshtajn. Zinxhiri i pronësisë kalon nga Hamoviç te një fondacion në Lihtenshtajn, pastaj te Stanari Holdings AG (Lihtenshtajn), pastaj te Stanari Investments Limited (Londër, ish-EFT International Investments Holdings), e cila është ortake e vetme e EFT Tirana ku Uruçi shërben si administrator.
Hamoviç figuron në dosjen Suisse Secrets të OCCRP-së, hetimin e realizuar nga 48 media botërore përfshirë New York Times, Le Monde dhe The Guardian. Sipas dosjes, ai kishte tre llogari në Credit Suisse me balancë totale mbi 16.5 milionë franga zvicerane. Serious Fraud Office britanike rekomandoi akuza ndaj tij për korrupsion. Biznesi i tij u hetua në katër shtete. Djali i tij Milos u përmend në aktakuzë për pastrim parash në Republika Srpska.
A e dinte "Aktor Group" se partneri i saj 49% zotërohet nga administratori i kompanisë së Hamoviçit?
Fotot e takimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, tregojnë praninë e Alexandros Exarchou-t, CEO-s së "Aktor", dhe të Mirsad Uruçit. Uruçi shfaqet si personi i tretë, i pranishëm në takim por pa rol zyrtar të deklaruar.
Kontakti Exarchou-Guilfoyle nuk ishte i rastësishëm. Vetëm pak ditë para njoftimit të marrëveshjes, Exarchou dhe Guilfoyle paraqitën së bashku në një panel të organizuar nga Economist në Rumani, me temë korridoret energjetike në Evropën Juglindore. Aty u diskutua zgjerimi i korridorit energjetik vertikal drejt Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Kjo do të thotë se Exarchou dhe ambasadorja amerikane kishin tashmë marrëdhënie pune para se Uruçi të paraqitej në skenë si "investitor amerikan."
Pamfleti ngre pyetjen: a u prezantua Uruçi si përfaqësues i BNI Foundation apo si përfaqësues i EFT Group? A e dinte Guilfoyle se biznesmeni shqiptar pranë saj kishte lidhje të dokumentuara me oligarkun serb? A e dinte Exarchou?
Historia e humbjes: "Aktor" në Ballkan
Ironikisht, "Aktor Group" ka një histori të dokumentuar humbjesh në Ballkan. Vetë kompania pranoi në një njoftim zyrtar se menaxhimi i mëparshëm i "Aktor" në rajon (Serbi, Shqipëri, Rumani) kishte shkaktuar humbje mbi 230 milionë euro. Nëntë projekte ndërtimi me buxhet total mbi 600 milionë euro u braktisën pothuajse plotësisht, ndërsa autoritetet kontraktuese kërcënonin të likuidonin garancitë bankare. Kompania pranoi gjithashtu se kishte nënshkruar kontrata për projekte fotovoltaikë jashtë vendit "që nuk kishin kuptim ekonomik apo tregtar dhe ishin jashtëzakonisht të rrezikshme."
Me fjalë të tjera, "Aktor" ka humbur qindra milionë euro në Ballkan para se Exarchou të merrte drejtimin. Tani, nën drejtimin e Exarchou-t, kompania po ri-hyn në Ballkan me një partneritet me një kompani me 1 euro kapital, që zotërohet nga administratori i degës shqiptare të një oligarku serb.
Çfarë rrezikojnë aksionerët
"Aktor Group" tregtohet në Bursën e Athinës (ticker: AKTR) dhe i nënshtrohet rregullave të Hellenic Capital Market Commission. Çdo informacion i publikuar nga kompani të listuara duhet të jetë i saktë, i plotë, dhe jo-mashtrues. Aksionarët marrin vendime investimi bazuar në njoftime zyrtare.
Njoftimi i 18 Marsit u tha aksionarëve se partneri është "BNI Foundation," organizatë rajonale me filiale të konsoliduara. Nuk u tha se BNI Foundation nuk gjendet si entitet i regjistruar askund. Nuk u tha se kompania nënshkruese, Brightnest, ka 1 euro kapital dhe pesë muaj jetë. Nuk u tha se pronari i Brightnest drejton njëkohësisht degën e një kompanie të hetuar në katër shtete dhe të dokumentuar në Suisse Secrets.
Nëse "Aktor" bëri hetim të thelluar dhe i dinte këto fakte, atëherë nuk i tregoi aksionarëve. Nëse nuk bëri hetim të thelluar, atëherë nënshkroi marrëveshje miliardëshe pa kontrolluar as identitetin e partnerit. Në të dyja rastet, aksionarët e AKTR kanë të drejtë të pyesin pse.
BNI Foundation: emri që askush nuk e njeh
Emri "BNI Foundation" ngre pyetje shtesë. I vetmi fondacion me këtë emër që ekziston realisht në SHBA është BNI Foundation Worldwide Inc., organizatë filantropike e regjistruar në Charlotte, Karolina e Veriut (EIN: 82-2424438), me mision mbështetjen e fëmijëve përmes edukimit. Fondacioni ka buxhet modest dhe asnjë aktivitet minerar, energjetik, apo prezencë në Ballkan.
Pamfleti ka dërguar pyetje zyrtare BNI Foundation Worldwide Inc. për të verifikuar nëse ka çfarëdolloj lidhje me marrëveshjen e Bilishtit. Përgjigja do të publikohet sapo të merret.
Ndërkohë, çfarë dihet: njoftimi i "Aktor" përdor emrin "BNI Foundation" pa specifikuar ku është regjistruar, kush e drejton, ose si lidhet me Brightnest sh.p.k. Në tekstin e njoftimit, "Aktor" shkruan "BrightNest SHPK, a company member of BNI Foundation" dhe më pas përdor vetëm emrin BNI Foundation, duke krijuar përshtypjen se BNI Foundation është entiteti kryesor dhe Brightnest vetëm filiali. Por nga dokumentet e QKB-së, Brightnest është kompani e pavarur me pronar Mirsad Uruçi. Lidhja mes Brightnest dhe BNI Foundation nuk dokumentohet askund.
Kryetari i bordit Alexandros Exarchou mori drejtimin e "Aktor" në 2022 pas viteve të humbjeve në Ballkan. Ai premtoi se do të ishte selektiv në projektet jashtë vendit. Tani, vetëm katër vjet më vonë, ri-hyn në Ballkan me një partneritet që ka të gjitha shenjat e alarmit:
Partner me kapital 1 euro dhe pesë muaj jetë. Pronar i partnerit me lidhje të dokumentuara me oligark serb subjekt i Suisse Secrets. Entitet mëmë (BNI Foundation) pa identitet të verifikueshëm. Premtime për financim amerikan pa asnjë provë. Vizitë e ambasadores amerikane e përdorur si totem legjitimiteti. Njoftim bursier pa detaje mbi identitetin real të partnerit... /Pamfleti
Ramuti ne garën antishqiptare me Salehun po del te jet me produktiv se Salehu. E shqiptar sillen si dele te humbura brenda rrethit te "mbyllur" Seh-Ramut.
A e dini dhe ju njerez se shoqerine "Aktor" ne shqiperi e cila vodhi te gjitha leket e shqiptareve per te ndertuar rruge dhe i la ne mes te gjitha, kishte avokat ministrin tone te mbeojtjes Ermal Nufi. Per te verifikuar kete drejtojuni ne Gjykaten e Tiranes she do ta gjeni lehtesisht.