Për 20 vjet, familja Uruçi ka qenë dega operative e oligarkut serb Vuk Hamoviç në Shqipëri. Tani i njëjti rrjet po futet te nikeli i Bilishtit, ndërsa paraqitet si "investitor amerikan"
Kur mediat greke njoftuan se një investitor amerikan do të sillte 1 miliard euro në minierat e nikelit të Bilishtit, pas fasadës doli Mirsad Uruçi, një biznesmen kontrovers me kompani me kapital 1 euro. Por Uruçi nuk është i pavarur. Ai është hallka shqiptare e një zinxhiri që nis te llogaritë e Credit Suisse në Zvicër, kalon nga fondacionet e Lihtenshtajnit, te holding-u në Londër dhe përfundon në zyrat e Qendrës EUROCOL në zemër të Tiranës. Në krye të këtij zinxhiri qëndron Vuk Hamoviç, oligarku serb i energjisë, subjekt i dosjes Suisse Secrets të OCCRP-së.
Vuk Hamoviç, llogaritë dhe hetimet
Kur u shpërbë Jugosllavia, në të gjitha vendet e Ballkanit mbetën kompani publike të energjisë të cilat kishin nevojë të tregtonin mes tyre. Dhe aty ku ka treg, ka edhe njerëz që dinë ta shfrytëzojnë atë. Vuk Hamoviç ishte njëri prej tyre. Para shpërbërjes, ai punonte në aparatin energjetik jugosllav. Pas shpërbërjes, ai e shndërroi atë përvojë në pasuri personale.
Në vitin 2000, Hamoviç themeloi në Londër kompaninë Energy Financing Team, EFT. Bashkëthemelues ishte James Nye, një ish-financier i Wall Street-it. Qëllimi ishte i thjeshtë: të tregtonte energji elektrike dhe borxh mes kompanive të reja publike që po krijoheshin në ish-republikat jugosllave. Brenda pak vitesh, EFT u bë lojtari më i madh në Ballkan, me prezencë në mbi 20 shtete. Por mënyra se si Hamoviç e ndërtoi këtë perandori tërhoqi vëmendjen e hetuesve.
Në vitin 2003, një audit i pavarur në Bosnje zbuloi diçka shqetësuese. Kompania publike e energjisë Elektropriveda Republika Srpska kishte nënshkruar kontrata me EFT-në nën koston e prodhimit. Çfarë do të thotë kjo? Se kompania boshnjake po i shiste energji EFT-së më lirë se sa e prodhonte. Diferenca ishte fitim për Hamoviçin, humbje për shtetin boshnjak. Prokurori ndërkombëtar Jonathan Ratel gjeti prova për abuzim detyre, nënshkrim kontratash dëmtuese dhe dhënie e marrje ryshfeti.
Në të njëjtën periudhë, ndodhi edhe një skemë tjetër. USAID kishte pranuar të paguante 11.9 milionë dollarë borxh që Republika Srpska i kishte Malit të Zi. Por GML International, një kompani ku Hamoviç shërbente si drejtor, e bleu atë borxh me 30 për qind ulje pak para çdo transferte të USAID-it. E përsëriti këtë skemë gjashtë herë radhazi. Hetuesit konstatuan se GML ishte në dijeni të kohës së transfertave, gjë që tregonte se pagesat nuk kishin asnjë qëllim tregtar; ishin thjesht një mënyrë për të kapur diferencën.
Në Britani, Serious Fraud Office, organi më i lartë britanik kundër mashtrimit financiar, rekomandoi ngritjen e akuzave për korrupsion ndaj Hamoviçit. Por Attorney General Lady Patricia Scotland e vonoi miratimin për muaj të tërë. Përfundimisht, çështja u mbyll pa asnjë akuzë formale. Në Serbi, policia paraqiti ankesa penale ndaj tre ish-zyrtarëve të Elektropriveda Serbia për kontrata të dëmshme me EFT-në. Humbjet e vlerësuara: 20.7 milionë marka konvertibile.
Hamoviç doli i paprekur nga të gjitha.
Në shkurt 2022, dosja Suisse Secrets zbuloi se Hamoviç kishte tre llogari në Credit Suisse. Njëra prej tyre, e hapur që 2006, kishte balancë maksimale 12.56 milionë franga zvicerane. Dy të tjerat mbi 2 milionë secila. Gjithsej mbi 16.5 milionë franga të dokumentuara.
Djali i tij, Milos Hamoviç, drejtor i përgjithshëm i EFT-së në Beograd, u përmend në një aktakuzë të Prokurorisë Speciale të Republikës Serbe për pastrim parash, së bashku me transferta nga kompani offshore në Ishujt Virgjin Britanikë, Delaware dhe Qipro.
Familja Uruçi, porta shqiptare e Hamoviçit
Në 2002, Enver Uruçi kërkoi regjistrimin e zyrës së përfaqësimit të EFT-së në Shqipëri. Familja Uruçi u bë porta hyrëse e Hamoviçit në tregun shqiptar. Në 2017, EFT Tirana u inkorporua si sh.p.k me administrator Mirsad Uruçin, djalin e Enverit. Brezi i dytë mori timonin.
Raporti i ecurisë 2021, i nënshkruar nga vetë Uruçi, e përshkruan qartë rolin: EFT Tirana importon dhe shet energji, administron transmetimin me OST-në, dhe "krijon reputacion të mirë për EFT Group në Shqipëri". Nuk është kompani e pavarur. Është degë operative.
Zinxhiri i pronësisë: Lihtenshtajn - Londër - Tiranë
Bilancet e Stanari Investments Limited (ish-EFT International Investments Holdings) përmbajnë fjalinë kyçe: "Kontrolluesi përfundimtar ishte Vuk Hamoviç, përmes aksioneve kontrolluese në Stanari Holdings AG, të mbajtura përmes fondacionit të tij në Lihtenshtajn, ku ai ka 100% interes."

Lihtenshtajni është një nga juridiksionet më të errëta në Evropë. Fondacionet atje nuk zbulojnë përfituesit realë.
Në gusht 2023, kompania mëmë ndërroi emrin nga "EFT International" në "Stanari Investments". Ndërrimi ndodhi pikërisht kur mediat po publikonin hetime për skandalin e Akërnisë në Vlorë dhe lobimin e Ben Houchen. Por në QKB-në shqiptare, ortaku i EFT Tirana vazhdon të figurojë me emrin e vjetër. Informacioni publik në Shqipëri është i vjetëruar.
Qindra milionë euro përmes dy punonjësve në Tiranë
EFT Tirana ka kapital 134,120 lekë (rreth 1,100 euro) dhe dy punonjës: Uruçin dhe një sekretar. Por në 2020, kompania kishte llogari të arkëtueshme nga palët e lidhura 177 milionë euro, aktive financiare 671 milionë euro, detyrime 691 milionë euro. Dy persona menaxhonin flukse qindra milionëshe.
Ndërkohë, kompania mëmë në Londër pagoi dividentë 191.3 milionë euro në periudhën 15-mujore deri në mars 2023.
Paradoksi: Bosnja merr kredi, Shqipëria merr premtime
Në tetor 2023, Stanari Investments regjistroi një garanci në favor të Raiffeisen Bank për një kredi 31 milionë euro. Kredia shkoi për një filial të EFT-së në Bosnje, për ndërtimin e një centrali diellor. Kolateral: 100% e aksioneve të filialit.
EFT Group investon realisht në Bosnjë, me banka ndërkombëtare dhe garanci të plota. Në Shqipëri, i njëjti grup, përmes Uruçit, operon me kompani guaskë, konsorciume pa përvojë, fasada "amerikane" dhe padi të braktisura.
"Investitori amerikan" i Bilishtit rezulton nëpunësi i oligarkut serb
Organigrami i EFT Group përfshin filiale në mbi 20 shtete. Por asnjë nga kompanitë personale të Uruçit nuk figuron aty: as Brightnest, as Midami, as Mining Ventures Albania, as Akërnia Solar, as Arka Energy B.V. (kompani të lidhura me interesa të errëta)
Uruçi nga njëra anë shfaqet si administrator i EFT Tirana, degë e grupit të Hamoviçit. Në tjetrën, pronar i kompanive me kapital 1 euro që pretendojnë investime miliardëshe. (prestanome të Hamovicit)
Pyetja: a vepron ai me dijeninë e Hamoviçit, apo po shfrytëzon pozitën për qëllime vetjake? Në rastin e parë, Bilishti është zgjatim i EFT Group dhe fondet mund të vijnë nga llogaritë e Credit Suisse.
Fakt është që, familja Uruçi ka shërbyer për mbi 20 vjet si dega operative e Hamoviçit në Shqipëri.
Kjo histori tregon se si një oligark serb që vepron kundër interesave të Perëndimit, i hetuar në Britani dhe me llogari të fshehta në Credit Suisse, ka mbajtur për dy dekada një strukturë financiare në Tiranë për të kontrolluar tregun e energjisë në Ballkan. Sot e njëjta strukturë po përpiqet të futet në mineralet strategjike të Shqipërisë: nikelin dhe kobaltin, pa të cilët nuk bëhen bateritë e makinave elektrike dhe nuk mund të realizohet tranzicioni energjetik që Perëndimi po e shtyn me çdo kusht.
Ndërsa Brukseli dhe Washington-i flasin për zvogëlimin e varësisë nga Kina për metalet kritike, në Shqipëri të drejtat e nxjerrjes së nikelit po u jepen strukturave të një rrjeti të lidhur me një oligark që ka punuar kundër stabilizimit të Ballkanit perëndimor. Përfaqësuesi i këtij rrjeti në Tiranë është Mirsad Uruçi, i njëjti që sot paraqitet si "investitor amerikan"... (vijon) /Pamfleti
Qe kur e degjova nga mediat, i shkruajta nje kolegu se ky nuk eshte investim amerikan, por Greko-Serb dhe midis tyre qendron nje shqiptar mafioz: "U paraqit si investim amerikan, nga k/ministri Rama dhe perfundoj kompani Greek-Serbe ku bene pjese edhe nje mafioz shqiptaro-amerikan me kapital investues 100 euro. I njejti model privatizimi si minierat tjera dhe nafta, pa gare, pa tender, pa konkurence, i marrin ca oligarke mafioz te Edi Rames, ku edhe ky vete fshihet pas tyre dhe shteti do mundet te marre vetem taksen minerare 2-3%, nese, dhe asnje lek fitim! Kjo eshte falja e pasurise natyrore minerare dhe mashtrimi qe i behet popullit, e zbuluan mediat se asgje s’do ishe marre vesh. Eh sa gjera jane dhene ne kete forme, gjithe vendburimet e naftes/gazit, minierave, direkt me firmosjen e Rames, dhe prandaj industria naftes dhe ajo minerare perfunduan keshtu, ku shteti s'merre asnje lek fitim dhe ato po shkaterrohen dhe jane bere nje mallikim per popullin!
Nga banka e Kursimeve te Credins bank, nga Tirana në Tivar ,nga Athina në Beograd, nga Tirana në Moskë e në Pekinë , nga mbitoka në nëntokë, nga "fundi i detit deri në kupë të qiellit" kudo i luajnë zaret 'Ata', "Parija e Tiranës". Nga Ramiz Alia te Fatos Nano. Nga Fatos Nano te Sali Berisha. Nga Sali Berisha te Edi Rama.Të gjithë e dinë që përkrah një trenisti, apo një aviatori ka një rezervë. Të gjithë kapot e lokomotivave kanë zgjedhur dhe përgjegjësit për çdo vagon. Një fshatar apo qytetar nga kudo qoftë nuk ka asnjë mundësi të lidh dhe të zgjidh, fije dhe interesa miliarda dollarëshe pa qenë 'Ata' ( krerët e mazhorancës dhe krerët e opozitës) finalistët e lidhjes së litarit në të dy skajet. Ndaj nyja gordiane pritet me shpat. Kordhëtarët ndodhen në SPAK. Varësisht, shofim dhe gjykojmë mbi të 'përpërjashtmit'.
Ku ka rjedhur do pikoje.