Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) ka publikuar një letër personale që presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, i ka dërguar kreut të saj, Klaudio Tapia, pas finales së Kupës së Botës 2026.
Mesazhi erdhi pas humbjes 1-0 të Argjentinës ndaj Spanjës në kohën shtesë në finalen e zhvilluar në “MetLife Stadium”. Edhe pse kombëtarja argjentinase mbeti pa trofe, Infantino vlerësoi paraqitjen e ekipit dhe rrugëtimin e tij gjatë turneut.
Publikimi i kësaj letre nga AFA ka tërhequr vëmendje, pasi komunikime të tilla zakonisht mbeten konfidenciale dhe nuk bëhen publike. Megjithatë, Federata vendosi ta ndajë me tifozët përmes kanaleve të saj zyrtare.
Në letrën e tij, presidenti i FIFA-s thekson se medalja e argjendtë është një arritje për t’u vlerësuar, ndërsa nënvizon se futbolli i luajtur nga Argjentina kontribuoi në suksesin dhe spektaklin e Kupës së Botës.
Infantino nuk kurseu vlerësimet as për trajnerin Lionel Skaloni, lojtarët, stafin teknik e mjekësor, si edhe për tifozët që mbështetën skuadrën gjatë gjithë kompeticionit.
“Këto arritje janë gjithmonë rezultat i punës së palodhur, profesionalizmit dhe vëmendjes ndaj çdo detaji, por edhe i pasionit, përkushtimit dhe dashurisë për sportin më të bukur në botë. Kjo tregon se e ardhmja e futbollit argjentinas është shumë premtuese”, shkroi Infantino.
Më pas ai shtoi:
“Ju lutem përcilluni urimet e mia më të përzemërta të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij suksesi të madh: lojtarëve, trajnerit Lionel Skaloni, stafit teknik dhe mjekësor, si edhe tifozëve të shumtë që e mbështetën skuadrën me pasion gjatë gjithë turneut.”
Letra e Infantinos ka ngjallur reagime të shumta edhe për një tjetër arsye: presidenti i FIFA-s zgjodhi të mos përmendë asnjë nga polemikat që shoqëruan Argjentinën gjatë Botërorit, duke u fokusuar ekskluzivisht te meritat sportive dhe kontributi i ekipit në zhvillimin e një turneu spektakolar.
Lini një Përgjigje