UEFA ka përcaktuar gjyqtarin që do të vendosë drejtësi në ndeshjen e kthimit mes Dinamos dhe Aluminij, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Sfida, e cila do të zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 21:00, do të gjykohet nga një trupë arbitrash tërësisht nga Azerbajxhani.
Bilbilin kryesor do ta mbajë Kamal Umudlu, ndërsa në krahët e tij do të jenë asistentët Namik Husejnov dhe Vusal Mamadov. Gjyqtar i katërt është caktuar Ingilab Mamadov.
Kujtojmë se përballja e parë mes dy skuadrave përfundoi në barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për duelin e dytë në Elbasan.
Umudlu është 31 vjeç dhe është pjesë e listës së arbitrave me stemën e FIFA-s. Ai ka drejtuar më parë edhe një ndeshje të kombëtares së Shqipërisë U-17, pikërisht në majin e vitit të kaluar, në Kampionatin Europian të kësaj grupmoshe.
Në atë takim, Shqipëria u përball me Gjermaninë në “Elbasan Arena”, ku kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-4. Kjo ishte edhe ndeshja e fundit për Shqipërinë U-17 në atë kompeticion, të cilin e mbylli në grup me 12 gola të pësuar dhe pa arritur të shënojë asnjë gol.
Gjyqtar kryesor: Kamal Umudlu
Asistent i parë: Namik Huseynov
Asistent i dytë: Vusal Mamadov
Gjyqtar i katërt: Ingilab Mamadov
Lini një Përgjigje