TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Korrik 2026, 19:14

Formula 1/ Pse pista e Hungarisë mbetet e “mallkuar” për Lëklerk

Shkruar nga Pamfleti
Formula 1/ Pse pista e Hungarisë mbetet e “mallkuar” për
Sharl Lëklerk-Luis Hamilton

Çmimi i Madh i Hungarisë në Formula 1 sjell këtë fundjavë dy histori krejt të ndryshme për pilotët e Ferrarit. Nga njëra anë është Luis Hamilton, i cili rikthehet në Hungaroring si piloti më dominues në historinë e kësaj piste, ndërsa nga ana tjetër është Sharl Lëklerk, që kërkon të largojë një statistikë negative dhe të gjejë më në fund suksesin në Budapest.

Britaniku ka ndërtuar një marrëdhënie të veçantë me këtë cirkuit. Me 8 fitore, 9 pole position dhe 12 podiume, Hamilton mban rekordin si piloti më i suksesshëm në historinë e Hungaroringut. Për të, kjo pistë është pothuajse një shtëpi e dytë.

Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij në Hungari erdhi në vitin 2019. Mercedes vendosi të rrezikonte me një ndalesë të dytë në bokse, duke i vendosur goma të reja dhe duke i kërkuar Hamiltonit të ndiqte Maks Vershtapenin për fitoren. Britaniku nisi një rikthim spektakolar, duke ulur kohët xhiro pas xhiroje dhe duke realizuar një parakalim vendimtar.

Çdo xhiro ishte si një xhiro kualifikimi”, deklaroi Hamilton pas asaj gare, duke përshkruar ritmin e jashtëzakonshëm që i dha fitoren.

Në anën tjetër, për Sharl Lëklerkun, Hungaroringu mbetet ende një peng i madh. Piloti nga Monako nuk ka fituar asnjëherë në këtë pistë dhe nuk është ngjitur kurrë në podium. Vitet e fundit kanë sjellë disa zhgënjime të dhimbshme për të.

Rasti më i freskët në kujtesë është gara e vitit 2022, kur Lëklerk ishte në luftë direkte për fitoren. Një vendim i gabuar strategjik nga Ferrari, me zgjedhjen e gomave të forta, i kushtoi shumë. Gomat nuk dhanë performancën e pritur, Vershtappen e parakaloi dy herë, ndërsa një rrotullim në pistë e largoi përfundimisht nga beteja për vendin e parë. Në fund, monegasku u rendit vetëm i gjashti.

Edhe sezonin e kaluar, pavarësisht se nisi garën nga pole position, Lëklerk nuk arriti ta shfrytëzonte avantazhin dhe e mbylli Çmimin e Madh të Hungarisë në vendin e katërt.

Ferrari mbërrin në Budapest pas sinjaleve pozitive të marra në Spa, ku tregoi se mund të konkurrojë me skuadrat kryesore. Megjithatë, Hungaroringu do të jetë një tjetër test i rëndësishëm për të kuptuar nivelin real të makinës së kuqe.

Për Hamiltonin, kjo pistë është një vend kujtimesh të mëdha dhe triumfesh historike. Për Lëklerkun, është një sfidë personale, një mundësi për të thyer një tabu që e ka ndjekur prej vitesh.

Dy pilotët e Ferrarit kanë objektiva të ndryshëm, por një qëllim të përbashkët: ta rikthejnë skuadrën italiane në qendër të vëmendjes. Tifozët e “Rosos” shpresojnë që Hungaria të jetë skena ku Lëklerk më në fund shkruan historinë e tij, ndërsa Hamilton vazhdon legjendën e tij në Budapest.

luis hamilton sharl lëklerk formula 1

Lini një Përgjigje