Pas disa ditësh negociatash, takimesh dhe kontaktesh intensive, ëndrra e Federatës Italiane të Futbollit për të bindur Pep Guardiolën ka marrë fund. Trajneri katalanas i ka dhënë përgjigjen përfundimtare Paolo Maldinit gjatë natës mes së enjtes dhe të premtes, duke refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e kombëtares italiane.
Guardiola e ka vlerësuar maksimalisht besimin dhe projektin e paraqitur nga drejtuesit e federatës, por në fund ka vendosur të qëndrojë besnik ndaj planit të tij personal. Pas një dekade në krye të Mançester Sitit, tekniku spanjoll dëshiron të marrë një vit pushim, diçka që nuk e ka bërë që prej sezonit 2012-2013, për t'iu përkushtuar familjes dhe jetës larg pankinës.
Propozimi i presidentit të federatës Xhovani Malago, drejtorit teknik Paolo Maldini dhe këshilltarit Leonardo e bëri Guardiolën të mendonte seriozisht. Ai kërkoi disa ditë kohë për të reflektuar dhe FIGC besonte deri në momentet e fundit se mund ta bindte, duke i ofruar edhe një staf teknik të nivelit të lartë për t'ia lehtësuar punën.
Megjithatë, në fund mbizotëroi dëshira për të bërë një shkëputje nga futbolli i përditshëm. Vendimi i Guardiolës nuk lidhet me aspektin financiar, por është një zgjedhje personale dhe familjare.
Maldini përshpejton për Pirlon
Pas refuzimit të Guardiolës, drejtuesit e federatës kanë kaluar menjëherë te alternativa tjetër. Andrea Pirlo është tani kandidati kryesor për të marrë drejtimin e "Azzurrëve", duke qenë emri i preferuar i Paolo Maldinit dhe Leonardos.
Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, “Sky Sport Italia” dhe “Calciomercato”, federata synon të përshpejtojë procedurat dhe emërimi i Pirlos mund të zyrtarizohet brenda kësaj fundjave.
Kontrata e Pirlos pritet të zgjasë deri në vitin 2030. Po ashtu bëhet fjalë edhe për okazion sa i përket pagës.
Pirlo nuk do të fitojë më shumë se 1,5 milionë euro në vit. Më parë Pirlo ka drejtuar Juventusin, Karagumrukun dhe Sampdorian. Italia e konsideron si zgjedhje të guximshme, ndërsa ishte edhe Mançini si opsion.
Me këtë lëvizje duket se po fiton terren vizioni i Maldinit dhe Leonardos për rindërtimin afatmesëm dhe afatgjatë të kombëtares italiane. Ndërkohë, Liga e Serisë A kishte mbështetur kandidaturën e Antonio Kontes, ndërsa presidenti Xhovani Malago kishte preferuar fillimisht rikthimin e Roberto Mançinit.
Lini një Përgjigje