Një seri vdekjesh misterioze kanë tronditur një familje të njohur të industrisë detare gjermane, pasi dy persona u gjetën të vrarë brenda më pak se 24 orësh në një pronë luksoze në provincën Limpopo, në veri të Afrikës së Jugut.
Sipas gazetës gjermane Bild, autoritetet gjetën të pajetë Caroline von Rantzau, 26 vjeç, trashëgimtare e familjes që kontrollon kompaninë gjermane të transportit detar Deutsche Afrika-Linien (DAL). Ajo u gjet e qëlluar me armë zjarri në dhomën e saj në pronën Leeuwfontein.
Policia po heton rrethanat e ngjarjes dhe dyshon se e reja është qëlluar me një armë gjahu, e njëjta lloj arme që ndodhej në koleksionin e armëve të babait të saj, Dr. Eberhart von Rantzau.
Vetëm disa orë para vdekjes së saj, në të njëjtën pronë u gjet i vrarë edhe Arno Coen, 44 vjeç, drejtori financiar i kompleksit familjar. Sipas raportimeve, ai u qëllua për vdekje më 31 maj me një armë 9 milimetërshe. Coen konsiderohej një bashkëpunëtor i besuar i familjes dhe kishte rol kyç në menaxhimin financiar dhe rezervimet e pronës.
Deri tani, policia nuk ka bërë publike detaje të tjera mbi hetimet. Nuk është njoftuar për ndonjë arrestim në lidhje me asnjërën prej vrasjeve, ndërsa autoritetet presin rezultatet e autopsive.
Caroline von Rantzau kishte nisur së fundmi të ndërtonte portofolin e saj të investimeve në pasuri të paluajtshme dhe kishte blerë dy prona pranë kufirit me Mozambikun.
Ajo kalonte një pjesë të madhe të kohës në kujdesin për kafshët e egra që jetojnë në pronën familjare, ku gjenden lloje të ndryshme antilopash, kuajsh, gnush, impalash, mangustash, gjarpërinjsh dhe shpendësh.
Deutsche Afrika-Linien, me seli në Hamburg, është një nga kompanitë e njohura në sektorin e tankerëve kimikë në Evropë. Në vitin 2022, kompania shiti aktivitetin e saj të transportit të kontejnerëve te Hapag-Lloyd.
Dr. Eberhart von Rantzau përfaqëson gjeneratën e tretë të familjes që zotëron kompaninë, e cila u themelua në vitin 1924 nga John T. Essberger.
Lini një Përgjigje