TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Prill 2026, 20:19

Nga kërcënimi me ‘apokalips’ te armëpushimi me Iranin, Geron Kamberi: Kjo është diplomacia trumpiste!

Shkruar nga Pamfleti

Nga kërcënimi me ‘apokalips’ te armëpushimi me

Pas disa javësh tensioni maksimal dhe retorike luftarake që mbajti botën në ankth, një armëpushim dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka sjellë një qetësim të situatës në Lindjen e Mesme. Ky zhvillim vjen pas një periudhe të karakterizuar nga deklarata të ashpra dhe kërcënime të vazhdueshme nga Shtëpia e Bardhë, duke lënë hapësirë për një marrëveshje potenciale me 10 pika që mund t'i japë fund konfliktit.

Analisti për çështjet ndërkombëtare, Geron Kamberi, në një intervistë për emisionin “Të Pashoq”, në kanali në Youtube të Pamfletit, tha se ky armëpushim shërben për të çliruar ankthin global, veçanërisht pas deklaratave të presidentit Donald Trump që kërcënonte Iranin me “apokalips”.

Sipas tij, efekti më i menjëhershëm i këtij armëpushimi është një çlirim për tregun energjetik global, i cili ishte nën presion të madh.

Lidhur me strategjinë në dukje jokonsistente të presidentit Trump, i cili alternon kërcënimet me tërheqjet e papritura, analisti Kamberi e përkufizon atë si pjesë të “diplomacisë trumpiste”. Sipas tij, ky stil karakterizohet nga deklarata fillestare shumë të forta dhe në dukje të pakthyeshme, të cilat përdoren për të ushtruar presion maksimal. Pasi ky presion prodhon një rezultat të dëshiruar, vjen një tërheqje e shpejtë dhe një ndryshim kursi.

Pjesë nga intervista:

-Tani unë e ceka pak më herët. Kemi tre javë, mund ta quaj pa frikë, që përballemi me një çmenduri të presidentit amerikan Donald Trump, me deklarata që ndryshonin nga dita në natë e anasjelltas. Por fatmirësisht, jemi në fazën e një armëpushimi dy javor që mund t'i hapë rrugën një marrëveshje, e cila deri më tani thuhet se konsiston në 10 pika për fundin definitiv të luftës ndoshta. Ku jemi për momentin?

Geron Kamberi: Aktualisht jemi në momentin që duhet të shijojmë armëpushimin. Në qoftë se do përdorja një term, pra të çlirojmë ankthin që pati dhe deklarata e presidentit Trump të para pak ditëve, i cili kërcënoi gati me një apokalips, Iranin për shkak të këmbënguljes së tij për të mos u tërhequr nga programi bërthamor dhe veçanërisht nga e gjithë politika e Iranit në Lindjen e Mesme. Aktualisht në këtë moment që ne po flasim, pushimi dy javor ose armëpushimi dy javor, më shumë do të japë një çlirim tregut energjitik global, i cili për hir të së vërtetës kishte kohë, të paktën që nga fillimi i konfliktit, por veçanërisht pas deklaratave të qeverisë iraniane dhe zyrtarëve iranianë për të bllokuar ngushticën e Hormuzit, e cila u kthye në një ngërç të politikës globale dhe shpesh mjaft e krahasonin me krizën e famshme të kanalit të Suezin të vitit 1956, kur ndërkohë shtetëzimi i kanalit të Suezin në atë kohë nga ana e qeverisë së Egjiptit të Naserit, krijoi një konflikt në nivel global me ndërhyrje dhe përfshirjen e Anglisë dhe Francës fillimisht dhe pastaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Një konflikt i cili i vendosur dhe në sfondin e luftës së ftohtë solli në vëmendjen edhe rolin dhe peshën që kanë ngushtica të tilla, pra hapësira të tilla gjeografike në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lindi dhe krijoi atë termin që njihet tashmë si hakmarrja e gjeografisë.

-Tani, si e shikoni ju moskoherencën e deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, ose tërheqjen disa herë, sa herë ka kërcënuar, është tërhequr, ka bërë një hap pas dhe duket sikur fitorja i ka shkuar në një farë mënyre Iranit përballë një superfuqie si SHBA për shembull.

Geron Kamberi: Në këtë rast nuk besoj që mund ta thjeshtojmë arsyetimin ose analizën vetëm në midis atyre që humbasin dhe atyre që fitojnë, veçanërisht në konflikte të kësaj natyre. Duhet pasur parasysh natyrën, edhe atë që quhet diplomacia trumpiste, ose stili individual me të cilin presidenti Trump e ushtron pushtetin e tij politik. Ai përpiqet gjithmonë të kalojë gjithmonë në deklarata shumë të forta fillimisht, që shpesh duken të parekthyeshme, por e ka lehtësisht pastaj që të rimarrë kthesën kur falë atyre deklaratave ka prodhuar një rezultat siç ishte rasti i armëpushimit me ndërmjetësimin e Pakistanit, po aty u përfshinë dhe Egjipti dhe Turqia. Mjafton të kujtojmë një rast kur në mandatin e tij të parë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai bëri të njëjtën gjë me Kim Jong-un, presidentin e Koresë së Veriut, të cilit deri në atë moment asnjë president amerikan nuk ishte mundur ta takonte. Deklarata menjëherë sapo ai mori pushtetin në 2016 ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë kundrejt programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe mënyrës se si Koreja e Veriut po sillej në rajonin e Azisë, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin jo vetëm një prani shumë të madhe ushtarake që nga lufta e ftohtë, por dhe interesa të drejtpërdrejta gjeostrategjike me Korenë e Jugut, me Japoninë edhe me shumë vende të tjera. Dhe ai kërcënim në dukje, i cili habiti të gjithë, ndoshta e mbajti botën pezull, ndoshta në flakën e një konflikti të mundshëm bërthamor, ëh, u pasua nga një takim i presidentit amerikan dhe presidentit koreanoverior në në Singapor. Pra, ëh, doja të theksoja që modeli dhe stili i presidentit Trump në mënyrën se si ushtron ai diplomacinë dhe politikën, nisur edhe nga një përvojë si një stil i tij që vjen nga fusha e biznesit, por edhe një libër që ai ka shkruar, Arti i Marrëveshjeve, aty e shpjegon qartë që ai i koncepton marrëveshjet në një stil krejt ndryshëm nga ajo që quhet diplomacia tradicionale.

irani marrëveshja shba

Lini një Përgjigje