Mungesa e koordinimit politik vazhdon, ndërsa Albin Kurti ende nuk ka konsumuar takimet me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë…
Në Kosovë ka nisur numërimi mbrapsht sa i takon zgjedhjes së Presidentit, ndërsa kanë mbetur më pak se 20 ditë nga data finale, kur Kuvendi ose duhet të zgjedhë emrin që do të pasojë zyrtarisht në post Vjosa Osmanin, ose do të shpërndahet.
Referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prill është afati i fundit institucional për zgjedhjen e një presidenti nga Parlamenti, gjë që do të thotë se ditët në vijim do të jenë përcaktuese për krijimin e një mazhorance ndërpartiake, me të paktën 80 deputetë, për të përfunduar procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Nga kushtet e deritanishme, opsioni apo skenari më i mundshëm është bllokimi, pra që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, të mos arrijë të bindë as LDK dhe as PDK-në, apo faktorë të tjerë parlamentarë, që të shmanget kriza. Kjo do të thotë se Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e parakohshme mund të tendosnin edhe më tej mjedisin politik, duke tejkaluar kështu tensionet e deritanishme.
Nga takimet e zhvilluara deri më tani, Kurti nuk ka mundur të bindë Lumir Abdixhikun e LDK-së, pavarësisht se pas takimit palët folën për një proces, që synonte shmangien e krizës.
Kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci tha se përpjekjet do të intensifikohen në ditët në vijim, duke këmbëngulur se Kosova ka nevojë për një president të zgjedhur nga Parlamenti dhe jo për një proces tjetër zgjedhor, të cilin pala në pushtet e konsideron të panevojshëm si politikisht ashtu edhe institucionalisht.
Por, Vlora Çitaku e PDK-së bëri thirrje për më shumë seriozitet dhe nisma më konkrete nga Kurti, duke theksuar se kësaj force politike nuk i është bërë asnjë propozim me shkrim, duke dhënë kështu sinjalin se partia Demokratike po lihet jashtë procesit.
Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së duket në të njëjtën gjatësi vale me Çitakun, duke e hedhur topin për shmangien e krizës te VV-ja e Albin Kurtit.
Kështu, sipas PDK dhe LDK, i takon mazhorancës parlamentare të Albin Kurtit që të ndërmarrë veprime konkrete dhe të tregojë vullnet të fortë politik, për të shmangur krizën.
VV ka hedhur në tryezë dy emra për postin e Presidentit, por në takimin me Abdixhikun, ato nuk janë pranuar në parim, pasi është folur për mënyrën se si duhet të vijojë procesi pa hyrë te emrat konkretë.
Kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu, e cila mban edhe funksionin e Presidentes në detyrë, u bëri thirrje të gjitha forcave politike të demonstrojnë vullnet politik. Ajo ka theksuar se politika duhet të shmangë krizën, pasi në të kundërt vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Megjithatë, pavarësisht apelit të saj, mungesa e koordinimit politik vazhdon, pasi Kurti ende nuk është takuar me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, konkretisht për çështjen e zgjedhjeve presidenciale.
Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po e thellon më tej klimën e mosbesimit. Deputetja Albana Bytyqi argumentoi se kryeministri duhet të thërrasë një takim të përbashkët të të gjithë liderëve të opozitës në mënyrë që procesi të fitojë substancë të vërtetë dhe transparencë më të madhe. Në të njëjtën kohë, ajo akuzoi Kurtin se nuk po kërkon vërtet një zgjidhje, por po shikon drejt zgjedhjeve dhe, siç e tha ajo, po përpiqet t'ia hedhë fajin opozitës.
Një vlerësim i ngjashëm u shpreh nga kreu i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se klima politike në vend tani tregon qartë pozicionimin parazgjedhor. Sipas tij, refuzimi i iniciativave të opozitës, vonesat dhe bllokimet institucionale tregojnë se fokusi i sistemit politik po zhvendoset nga vendimmarrja në pozicionimin politik përpara një votimi të ri të mundshëm.
Përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kishte pasur gjithashtu kontakte me Kurtin, por pa asnjë rezultat. Më 5 mars, Kurti dhe Vetëvendosje propozuan emrat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mullhaxhës për president, por procesi nuk eci përpara sepse numri i kërkuar i deputetëve nuk ishte i pranishëm në sallë që të fillonte votimi.
Të paktën 80 deputetë duhet të jenë të pranishëm që të zhvillohet procedura, një kërkesë që nxjerr në pah jo vetëm vështirësinë e zgjedhjes së një presidenti, por edhe thellësinë e polarizimit politik. Më pas, dekreti për shpërndarjen e Parlamentit i lëshuar nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani u konsiderua si pa efekt ligjor nga Gjykata Kushtetuese, e cila sqaroi se shpërndarja ndodh automatikisht vetëm nëse Parlamenti nuk arrin të zgjedhë një president brenda afatit të caktuar.
Thelbi i krizës që mund të përballet Kosova duket se nuk ka lidhje me mosgjetjen e një figure të pranueshme, por me faktin se palët politike nuk arrijnë të gjejnë një konsensus s’janë të prirura për të zgjidhur situatën.
Edhe pse të gjitha palët thonë publikisht se duan një zgjidhje brenda kornizës kushtetuese, akuzat e ndërsjella, mungesa e negociatave të koordinuara dhe gatishmëria gjithnjë e më e dukshme parazgjedhore po dëmtojnë perspektivat për një marrëveshje.
Ndërsa 28 prilli afrohet pa një sinjal të qartë të konvergjencës politike, vlerësimi se Kosova po shkon drejt një cikli të ri pasigurie po fiton terren. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje