
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka deklaruar se partia synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, duke mos përjashtuar as ish-presidenten Vjosa Osmani.
Gjatë një konference për media, Azemi u pyet për mundësinë e rikthimit të Osmanit në LDK. Ai u shpreh se zhvillimet konkrete priten në ditët në vijim, por theksoi se partia mbetet e hapur për bashkim.
Sipas tij, edhe Vjosa Osmani mund të ketë vend në LDK, duke shtuar se është e nevojshme që spektri i djathtë të unifikohet pas proceseve që, sipas tij, kanë qenë të dëmtuara më parë. Ai theksoi se qëllimi është rikthimi i unitetit që ka karakterizuar historikisht LDK-në.
“Unë konsideroj që këto ngjarje do t’i shohim në ditët në vazhdim. LDK-ja synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK, sepse e djathta duhet të bashkohet, pasi që ka pasur një proces i cili ka qenë i dëmtuar në proceset e mëparshme dhe po kështu po synojmë që ta unifikojmë partinë ashtu siç ka qenë LDK-ja gjithherë”, ka deklaruar ai.
Osmani kishte paralajmëruar më herët rikthim në aktivitetin politik dhe kishte shprehur ambicie për një mandat të dytë si presidente. Megjithatë, ajo nuk mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht nuk mban post institucional.
Në diskutimet për zgjedhjen e presidentit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar Osmanin si “kandidate të shkëlqyer”.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh, vendi do të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditësh, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra për postin e presidentit, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxhën, por kandidaturat e tyre nuk janë hedhur në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Vjosa Osmani ka qenë pjesë e LDK-së para se të merrte postin e presidentes në vitin 2021. Më pas, ajo formoi Listën Guxo dhe garoi në zgjedhje në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa zgjedhja e saj si presidente u bë e mundur edhe me votat që siguruan kuorumin në Kuvend.
Lini një Përgjigje