TAGS-AT E JAVËS

Kosova28 Prill 2026, 10:52

A do të mbështetet Osmani? Kurti shmang përgjigjen: Po bëjmë përpjekje maksimale për zgjidhje

Shkruar nga Pamfleti
A do të mbështetet Osmani? Kurti shmang përgjigjen: Po
Albin Kurti-Vjosa Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, është paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Para nisjes së seancës, Kurti u ndal shkurtimisht përpara mediave, duke theksuar se mazhoranca është duke bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar.

“Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, tani ta shohim a do të vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, është shprehur shkurt Kurti.

Kryeministri nuk dha një përgjigje të qartë lidhur me mundësinë e mbështetjes së një mandati të ri për Vjosa Osmanin, duke lënë të hapura diskutimet politike për emrin e presidentit të ardhshëm.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë. Megjithatë, sipas raportimeve të Radios Evropa e Lirë, kreu i saj Lumir Abdixhiku është parë duke hyrë në godinën e Kuvendit, çka lë të paqartë qëndrimin final të kësaj force politike.

Seanca e sotme konsiderohet vendimtare për zgjedhjen e presidentit, në një kohë kur vendi përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare në rast të dështimit të procesit.

osmani kurti shmang pergjigjen

Lini një Përgjigje