
Instituti kërkon ndalimin e veprimeve në seancë pa praninë e 80 deputetëve
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kundërshtuar procedurën aktuale për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregullat parlamentare.
Sipas IKD-së, seanca e jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohet pa praninë e të paktën 80 deputetëve. Në rastin konkret, në sallë kanë qenë vetëm 64 deputetë, çka sipas institutit e bën të pavlefshme nisjen e procedurës dhe dy raundet e para të votimit.
IKD ka ngritur shqetësim edhe për mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, e cila është thirrur vetëm dy minuta para zhvillimit. Instituti vlerëson se kjo mënyrë veprimi cenon transparencën dhe kufizon pjesëmarrjen reale të deputetëve në proces.
Një tjetër çështje lidhet me nënshkrimet e deputetëve për kandidatët. IKD thekson se dy kandidatë janë propozuar më 5 mars 2026, por tërheqja e tyre nuk i bën sërish të përdorshme nënshkrimet për kandidatë të tjerë. Sipas institutit, nënshkrimet konsumohen në momentin e dorëzimit zyrtar dhe lidhen vetëm me kandidatin për të cilin janë dhënë.
IKD e mbështet këtë qëndrim te praktika e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë rastin KI 47/10, si dhe te Rregullorja e Kuvendit, e cila lejon tërheqjen e nënshkrimeve vetëm para dorëzimit zyrtar.
Në vlerësimin e institutit, mungesa e kuorumit, shkeljet procedurale dhe interpretimi i gabuar i rregullave e bëjnë procesin juridikisht të pavlefshëm.
IKD i kërkon Kryetares së Kuvendit të mos ndërmarrë asnjë veprim në seancë pa kuorumin kushtetues prej 80 deputetësh.
Lini një Përgjigje