
Qeveria do të shtyjë vlefshmërinë e kartave dhe pasaportave për shqiptarët që do të votojnë me postë në zgjedhjet e 11 majit. Kjo u propozua edhe nga KQZ, e cila në negociatat e zhvilluara me përfaqësues të PS dhe PD kërkoi shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve deri në 31 maj 2025.
E ndërsa socialistët e pranojnë këtë propozim dhe pritet që Qeveria të miratojë vendimin, që ka vlerë vetëm për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, nuk pranohet propozimi tjetër i hedhur nga demokratët, që në zgjedhje të lejohet të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë dokumente shqiptare.
Në një intervistë për Report Tv, Damian Gjiknuri, i cili ka përfaqësuar PS në negociatat me PD për t’u dakordësuar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se Qeveria do të shtyjë afatin e vlefshmërisë së kartave dhe pasaportave vetëm për shqiptarët e diasporës.
“Nuk është logjike që Kodi Zgjedhor të flasë për vlefshmërinë e kartave të identitetit, pasi mund të shtyhet me të njëjtin akt që është miratuar, nuk mund të përzihen ligje që s’kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ne e kemi vullnetin dhe do të bëhet fakt.
Qeveria do të shtyjë përmes një akti normativ vlefshmërinë e të gjitha kartave apo pasaportave shqiptare që kanë skaduar për të gjithë ata zgjedhës jashtë vendit që janë regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë.
Nuk do të vlejë për zgjedhësit këtu në Shqipëri, sepse këta e kanë pasur të gjithë mundësinë. Është shtyrë disa herë dhe e kanë bërë dhe pak mund të kenë ngelur pa i marrë.
Sa herë ka shtyrje të tilla, ke edhe kritika nga institucionet partnere dhe Bashkimi Evropian”, tha Gjiknuri.
Por, PS refuzon edhe një kërkesë të fundit që ka bërë Partia Demokratike, për të votuar edhe ata shqiptarë që nuk kanë fare dokumente shqiptare.
“Pse u kujtuan tani një muaj përpara zgjedhjeve? Dhe që është edhe gjëja më qesharake. Mbaruan këtu 2 milionë votues jashtë vendit, u regjistruan të gjithë ata e na ngeli problemi tek ku numri i vogël që nuk kanë pasur asnjë dokument shqiptar? As të skaduar?
Po t’i vesh të gjitha këto në peshore, është një kërkesë absurde, që e para është e pazbatueshme teknikisht, krijon probleme me sistemin, dhe hap siparin (dhe këtu e kam merakun më shumë si alibi) që nesër të ketë pretendime për manipulime me votues fiktivë.
Se jam i bindur që po kjo opozitë që do të humbasë prapë zgjedhjet, do dalë e do thotë u manipulua sistemi, u futën njerëz që s’janë, duke e bërë pis procesin”, tha Gjiknuri.
Për Sekretarin për çështjet zgjedhore në PS, këto kërkesa të PD-së, janë jashtë marrëveshjes që u arrit në KQZ, ku palët ranë dakord të ndryshojnë Kodin Zgjedhor, për të lejuar shtetin të paguajë të gjitha kostot e postës për votën e emigrantëve, për të prodhuar më shpejt fletët e votimit duke afruar afatet për dorëzimin e kandidatëve, si dhe të numërohen votat e diasporës nga komisionerë partiakë, duke kënaqur opozitën.
Lini një Përgjigje