TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Shkurt 2025, 14:56

Veliaj publikoi transkriptimin e debateve në seancë, reagon GJKKO

Shkruar nga Pamfleti

Veliaj publikoi transkriptimin e debateve në seancë, reagon GJKKO

GJKKO ka reaguar pas publikimit nga kryebashkiaku Erion Veliaj i transkriptimit të replikave gjatë seancës gjyqësore të 12 Shkurtit ku iu caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Sipas GJKKO, transkripti i publikuar nga ana e Erion Veliaj në rrjetin e tij social në “Facebook” nuk është i vërtetë.

Në një deklaratë për mediat, GJKKO thekson se ky procesverbal nuk është i vërtetë, pasi nuk rezulton që gjatë seancës të jetë përdorur përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado. 

“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.

Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, shkruhet në reagimin e GJKKO-së.

Kryebashkiaku Veliaj publikoi ditën e sotme një pjesë të përplasjeve me prokurorin Ols Dado, që sipas tij, kanë ndodhur në sallën e gjyqit më datë 12 shkurt, kur u vendos konfirmimi i “arrestimit me burg”. Nga transkriptimi që është publikuar nga Erion Veliaj, vihen re tonet e larta që kanë shoqëruar seancën në GJKKO.

“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!

Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shkruan Veliaj në mesazhin e tij.

Lini një Përgjigje