Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar një marrëveshje të re me Greqinë për çështjen e detit, për të cilën thotë se ka të drejtë morale të ulet në tavolinë.
Në konferencë me gazetarët, ish kryeministri u shpreh se ka drejtë morale dhe ligjore që të ulet në tryezë me palën greke dhe të bëjmë më të mirën për dy vendet.
'Në rast se bën një vështrim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë do të gjeni se aktet më themelore të këtyre marrëdhënieve janë firmosur gjatë qeverisjes së PD-së.
Dy janë më kryesoret, por janë edhe më unike. Njëri ishte traktati i miqësisë, por që nuk u ripërtëri dhe e dyta ishte marrëveshja e detit.
Unë u them shqiptarëve që ajo ishte marrëveshja më e mirë që Shqipëria mund të marrë ndonjëherë në të gjithë kohërat. Ajo Marrëveshje u firmos në kushtet kur Greqia kishte të deklaruara 6 milja ujëra territoriale.
Natyrisht Greqia në ligjin ndërkombëtar kishte të drejtë të kalonte në 12 milje, por pranoi që marrëveshja të firmosej në një kohë kur njihte 6 milje.
Nuk po na falte, por pranoi një regjim që e kishte, nuk ia vumë ne. Ky ishte në avantazh real i Shqipërisë që nuk e arrijmë dot më.
Kur GJK rrëzoi në mënyrë absolute nga ndërhyrje anti-shqiptare e Ramës dhe të tjerëve, ramë dakord me palën greke të çojmë në Hagë, meqë vendimi i gjykatës ndërkombëtare prevalon mbi vendimin e gjykatës shqiptare.
Edi Rama erdhi në pushtet dhe i tha Tsiprasit: Jo duhet të bëjmë një marrëveshje më të mirë. Bënë 2 vite negociata duke mashtruar dhe kur shkuan në Korçë për ta firmosur, në vend që të firmosnin thanë jo se kemi vendimin e GJK. Me të drejtë pala greke u neverit dhe tha ju ‘vendimin e keni pasur aty pse negociuat 2 vite’.
Unë kam të drejtë morale dhe ligjore që të ulem në tryezë me palën greke dhe të bëjmë më të mirën për dy vendet, sepse pala greke e ka të qartë se unë isha për zgjidhje, ishte për një marrëveshje që nuk krahasohet me marrëveshjen e Ramës.', tha Berisha.
Lini një Përgjigje