TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Shkurt 2025, 12:45

Negociatat Trump-Putin, Rama 'shuplakë' Evropës në samitin e Kievit: Autopiloti është fikur, shikoni ç'bëhet përqark

Shkruar nga Pamfleti

Negociatat Trump-Putin, Rama 'shuplakë' Evropës në

Kryeministri shqiptar ngre 'elefantin në dhomë' në samitin e Kievit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në samitin që po mbahet nga BE për Kievin në 3-vjetorin e luftës, ka bërë disa deklarata të forta në drejtim të Brukselit.

Ai guxoi të theksonte faktin se peizazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar rrënjësisht duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë, teksa u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e injoronin realitetin e ri.

Në kontrast me përsëritjen e premtimeve për ndihmën e ardhshme ushtarake për Ukrainën dhe dëshirën që Kievi të anëtarësohet në BE dhe NATO, lideri shqiptar tha ndërsa ai mbështet të gjitha këto synime, ishte jetike të trajtohej fakti që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po bisedojnë veçmas, shkruan Sky News.

Ai tha se udhëheqësit dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur, kur në fakt nën Shtëpinë e Bardhë të re shumë gjëra ishin ndryshe.

Rama thotë që këto bisedime mund të çojnë në një marrëveshje, ku Ukraina mund të jetë jashtë bisedimeve dhe mund të përjetojë një rezultat të padrejtë, gjë që nuk po adresohet në samitin e liderëve. Në thelb, ai sugjeron që duhet të ketë një reflektim më të thellë dhe një qasje më të gjerë, që përfshin dhe aspektin diplomatik dhe politik të situatës, dhe jo vetëm fokusimin te ndihma ushtarake.

“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur siç e dini të gjithë dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si Evropa si kontinent mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim.", tha Rama.

Ai foli për një problem të dukshëm dhe një situatë të vështirë për të cilën shumë prej nuk duan të flasin, thekson Sky News, për vetë faktin që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe t'i imponohet një rezultat i padrejtë.

“Ne kemi qenë prej kohësh në autopilotin amerikan.Tani autopiloti po duket i fikur. Askush nuk e di për sa kohë.Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme.", tha kryeministri shqiptar.

Ai përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht pas Ukrainës dhe aleatëve të saj, por se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit  anën ushtarake  dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik./ Pamfleti

Lini një Përgjigje