Bashkimi Evropian, po përballet me një krizë të paprecedentë, ku vlerat dhe paradigmat e vjetra mund të bien shumë shpejt...
Nën sfondin e zgjedhjeve në Gjermani, protestave kundër çmimeve të larta që po vazhdojnë prej javësh në Evropën Qendrore dhe Lindore, dhe të krizës së vazhdueshme qeveritare në Rumani, të shtunën një tjetër lajm i papritur bëri xhiron e botës në vetëm pak orë
Në Bullgari, një grup demonstruesish u mblodhën në rrugët qendrore të Sofjes për të marshuar kundër monedhës së përbashkët euro, dhe kundër simboleve të bllokut, duke arritur deri në djegien e flamurit të BE-së, sulmuar selinë e Komisionit të BE-së në kryeqytet, madje duke u përpjekur t’i vënin flakën.
Një ngjarje, që solli reagimin e menjëhershëm të opinionit publik dhe kritika nga disa politikanë në Bruksel dhe më gjerë, përfshirë Ursula von der Leyen. Megjithatë, ajo është dukshëm një tjetër shenjë e një Bashkimi Evropian gjithnjë e më në krizë.
Në orët e vona të mëngjesit të së shtunës së 22 shkurtit, rreth 2.000-3.000 njerëz u mblodhën në qendër të Sofjes për të protestuar kundër futjes së euros si monedhë në Bullgari, e planifikuar zyrtarisht për në 1 janar 2026. Bullgaria është pjesë e Bashkimit Evropian që nga viti 2007, dhe më 1 janar të vitit të kaluar hyri zyrtarisht në zonën Shengen.
Tani qeveria e re e koalicionit, po zyrtarizon edhe hyrjen në eurozonë në fillim të vitit të ardhshëm. Megjithatë, meqë Bullgaria është një nga vendet më të varfra në BE-në, me pagat mesatare më të ulëta, që në disa raste mezi arrijnë 400 euro në muaj, disa forca politike të ekstremit të djathtë dhe të majtë kanë ngritur dyshime për braktisjen e levës (monedhës aktuale të Bullgarisë) dhe futjen e euros.
Ato kanë frikë se mos-përgatitja e vendit, mund të çojë në një krizë të rëndë ekonomike dhe financiare si që goditi Greqinë në vitin 2010. Protesta e së shtunës kundër euros, u organizua nga partia Vazrazhdane (Rilindja), e udhëhequr nga euroskeptiku Kostadin Kostadinov.
Por asaj iu bashkuan edhe disa demonstrues, që nuk kishin drejtpërdrejt lidhje me këtë parti. Vetë Vazrazhdane, është përpjekur në disa raste gjatë muajve të fundit t’i propozojë parlamentit bullgar që fillimisht të mbahet një referendum, për ta pyetur popullin nëse është apo jo dakord mbi hyrjen në eurozonë.
Vetëm pak ditë më parë, lideri i partisë Kostadinov, dorëzoi një listë prej rreth 590-600 mijë firmash për të kërkuar mbajtjen e referendumit. Por ai nuk pranua nga koalicioni qeverisës, ndaj u arrit tek protesta e të shtunës. Në fillim, demonstruesit i vunë zjarrin disa flamujve të BE-së dhe manekineve që përfaqësonin klasën politike evropiane (përfshirë presidenten e BQE-së Christine Lagarde).
Më pas ata njollosën me bojë të kuqe dhe vezë ndërtesat e disa institucioneve, duke përfshirë edhe selinë e Komisionit të BE-së në Sofje, të cilës më vonë u përpoqën t’i vinin flakën, duke nxitur ndërhyrjen e policisë dhe xhandarmërisë.
Ajo u përlesh me protestuesit duke përdorur kokteje molotovi, shkopinj dhe kapsolla. Rreth 10 policë plagosën dhe u dërguan në spital, ashtu si edhe disa protestues dhe pjesëtarë të Rilindjes, ndërsa zjarrfikësit shuan flakët. Pastaj protestuesit kaluan pranë selisë historike të Bankës Popullore Bullgare dhe Ministrisë së Ekonomisë, duke brohoritur parulla si “Jo euros!” dhe “Ne zgjedhim levën!”.
Udhëheqësi i Vazrazhdane deklaroi se “euro nënkupton shkatërrimin e Bullgarisë”. Duke pasur parasysh atmosferën e tensionuar, pamjet bënë menjëherë xhiron e botës, duke shkaktuar shumë alarm. Demonstruesit dhe veçanërisht partia Vazrazhdane u cilësuan nga shumë si “pro-ruse” dhe si “e djathtë ekstreme”.
Kjo partia e themeluar në vitin 2014 nga i lartpërmenduri Kostadin Kostadinov, është në fakt shumë euroskeptike, kritike ndaj NATO-s dhe ndaj ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, me një vizion që shumë e kanë përcaktuar si populiste, autoritariste dhe konservatore.
Ashtu si në shumë vende të tjera që ishin pjesë e bllokut komunist gjatë shekullit XX, vitet e fundit në Bullgari janë shfaqur forca të reja politike me një vizion jo shumë të qartë, ku paradigmat klasike midis “djathtas” dhe “majtas” nuk mund të përdoren si dikur, pasi vihen re tipare të përbashkëta për të dyja fraksionet.
Për shembull, disa nga qëndrimet më kritike të Vazrazhdane, janë ato kundër migracionit dhe kundër mbështetjes për Ukrainën. Aq sa muajt e fundit Kostadinov ka pretenduar se disa territore ukrainase janë “historikisht bullgare”, përveç Maqedonisë së Veriut, pozicione për të cilat ai përkufizohej nga media si “kopejkin” (nga termat rusë “kopek” si dhe “rubutin”).
Koalicioni aktual qeverisës në Bullgari, i zyrtarizuar më 16 janar 2025 pas zgjedhjeve të vjeshtës së vitit të kaluar, përbëhet nga 3 parti: GERB, e themeluar nga Bojko Borisov, dhe dy parti të tjera deri diku euroskeptike, përkatësisht Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe lëvizja “Një popull si ky” (ITN).
Vazrazhdane mori rreth 13 për qind të votave në zgjedhjet e fundit (duke qenë partia e tretë), por partitë e tjera të shumicës kanë refuzuar gjithmonë një koalicion të përbashkët me të, për shkak të pozicioneve të saj më ekstreme, më e fundit ndaj euros, në një situatë të ngjashme me atë që mund të ndodhë në Gjermani, ku shumica e partive kanë deklaruar se nuk do të pranonin kurrë një koalicion me AfD.
Por pavarësisht se nuk është në koalicionin e shumicës, Vazrazhdane ka fituar një popullaritet gjithnjë e më të madh, edhe për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit në rritje, ku një nga sloganet e përdorura kohët e fundit është “Bullgaria s’ka më kohë për të humbur” si dhe “DeNatofication” (largimi nga NATO).
Por euroskepticizmi i Bullgarisë, nuk duhet të konsiderohet një fenomen tërësisht i izoluar në Bashkimin Evropian. Për këtë mjafton të përmendim debatet e fundit pas zgjedhjeve të anuluara presidenciale në Rumani nëntorin e kaluar, për shkak të kandidatit Călin Georgescu (i cilësuar “pro-rus”, ashtu si Kosadinov).
Por edhe vështirësive në rritje në Gjermani, vend që ishte dikur motori ekonomik i Evropës, ku dështimet e Scholz kanë sjellë rritjen e frikshme të AfD-së. Një nga çështjet më përçarëse, është padyshim mbështetja ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, ku rikthimi i Trump në krye të SHBA dhe afrimi i tij me Rusinë, kanë sjellë ndjesi krejt të ndryshme, në të cilat Perëndimi po shfaqet gjithnjë e më pak i bashkuar si një entitet jo vetëm politik, por edhe ideologjik.
Për shembull, nëse Macron dhe Starmer, vazhdojnë të ushtrojnë presion për ndërhyrjen evropiane në Ukrainë kundër Rusisë, Bullgaria miratoi vetëm dy ditë më parë një masë në parlament kundër përdorimit të forcave ushtarake në Ukrainë, pavarësisht nëse janë misione të BE-së, NATO-s apo ndoshta misione “paqeruajtëse”.
Pra ka shumë shenja kudo se Bashkimi Evropian, po përballet me një krizë të paprecedentë, ku vlerat dhe paradigmat e vjetra mund të bien shumë shpejt.
Lini një Përgjigje