TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 11:17

Ulsi Manja ironizon opozitën: S’kam dëgjuar raport më të detajuar se ky për Ballukun

Shkruar nga Pamfleti
Ulsi Manja ironizon opozitën: S’kam dëgjuar raport më
Deputeti i PS, Ulsi Manja

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, paraqiti në seancën e Kuvendit raportin rekomandues të shumicës në Këshillin e Mandateve për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se kërkesa aktuale është një nga disa raste të ngjashme që janë shqyrtuar në Parlament gjatë viteve të fundit dhe ironizoi nivelin e detajimit të raportit të paraqitur.

“Në këtë sallë, kjo është kërkesa e 7-të e SPAK-ut që vjen në këtë Kuvend, që prej se jam në Parlament. Nuk kam dëgjuar në këtë sallë raport më të detajuar në analizën e provave, rrethanave, se sa sot. Gjë e cila bie ndesh me nenin 73 të Kushtetutës dhe nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ai.

Manja solli në vëmendje edhe një seancë të mëparshme parlamentare të zhvilluar në dhjetor të vitit 2023, kur Kuvendi shqyrtoi një tjetër kërkesë të SPAK për arrestimin e një deputeti.

“Këtë raport nuk e kam dëgjuar as në 21 dhjetor 2023, kur këtu kishim kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrest për një tjetër anëtar të Parlamentit, me një ndryshim, atëherë pakica sugjeronte rrëzimin e kërkesës, me argumentin se nuk plotësohen kërkesat”, u shpreh ai.

Sipas deputetit socialist, pas paraqitjes së raportit të shumicës në Këshillin e Mandateve ka ndodhur një zhvillim i ri institucional dhe juridik që, sipas tij, ndryshon mënyrën e vlerësimit të kërkesës së SPAK.

“Unë do i qëndroj besnik nenit 73 të Kushtetutës dhe atij 288 të Kodit, në emër të anëtarëve të shumicës në këtë Këshill, në momentin që paraqitëm raportin tonë, ka ndodhur një realitet i ri faktik dhe institucional, juridik, i cili e ndryshon natyrën e vlerësimit të SPAK-ut”, tha Manja.

Në fund të fjalës së tij ai theksoi se çështja duhet të trajtohet në kuadër të drejtësisë dhe jo të kthehet në debat politik.

“Një çështje që duhet të mbetet e drejtësisë dhe vetëm e drejtësisë është kthyer në një debat të padrejtë”, u shpreh ai, duke ripërsëritur disa nga qëndrimet e mbajtura edhe në mbledhjen e grupit parlamentar në nisje të kësaj jave.

ulsi manja ironizon opozitën

Lini një Përgjigje