
Që nga hapja e kampit më 11 tetor, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në qendrat në Shqipëri, me qëllim riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndruan për pak më shumë se 48 orë.
Të gjithë u transferuan në Itali pasi gjyqtarët italianë e konsideruan të paligjshme ndalimin e tyre në Shqipëri përpara riatdhesimit në vende, si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara si “të sigurta” nga Roma. Duke vepruar kështu, gjyqtarët po mbështesnin një vendim të 4 tetorit nga gjykata e drejtësisë e BE-së (ECJ) se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallej i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohej i sigurt.
Si rezultat, qendrat, të prezantuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i ri për krijimin e qendrave të përpunimit dhe ndalimit për azilkërkuesit jashtë BE-së, janë bosh prej më shumë se një muaji.
Në një kohë kur qeveria po përpiqet të balancojë buxhetin – duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetësinë dhe sigurimet shoqërore – partitë opozitare e kanë përshkruar marrëveshjen, që do të kushtojë rreth 1 miliardë euro (830 milion £) gjatë pesë viteve, si një “katastrofë financiare”.
“Misioni u krye!”, tha Riccardo Magi, presidenti i partisë së majtë opozitare.
“Qeveria ka pasur sukses në përpjekjet për riatdhesim. Emigrantët? Jo. Operatorë italianë të dërguar në Shqipëri, u kthyen në shtëpi brenda fundjavës. Qeveria fillimisht shpenzoi një shumë të madhe fondesh publike, më pas me qendrat e zbrazura, solli disa punonjës policie në Itali dhe tani edhe punonjësit socialë po kthehen në shtëpi. Ky është një dështim epokal”, tha ai.
Skema ka çuar në një mosmarrëveshje mes qeverisë dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit.
Nicola Gratteri, kryeprokurori i Napolit dhe një nga gjyqtarët më autoritativë në Itali, tha në një intervistë televizive këtë javë se “ne duhet të ndalojmë së sulmuari gjyqtarët vetëm sepse nuk na pëlqen një vendim”.
“Nuk dua të jap një gjykim politik, por them që në Shqipëri ishin 250 oficerë të rendit, që nuk po bënin asgjë. Është humbje të mbash 250 oficerë policie në një mision në Shqipëri, kur Italia po lufton me mungesën e personelit për mijëra policë”, u shpreh ai.
Qeveria e shpreh se qendrat në Shqipëri “do të mbeten të hapura dhe funksionale” dhe se transferimet në Itali janë bërë sipas nevojave të personelit. Megjithatë, besueshmëria e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, është në rrezik pasi ajo e bëri emigracionin një çështje qendrore të fushatës. Në të kaluarën ajo ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. Transporti nga deti në një anije ushtarake italiane me vetëm tetë persona që mbërritën në Shqipëri gjatë një fundjave në mes të nëntorit kushtoi 250,000 € – më shumë se 31,000 € për azilkërkues.
Elisabetta Piccolotti, një deputete e partisë së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, tha se "qeveria ka dështuar, ndërsa Meloni e dinte se do të dështonte. Kanë shpenzuar një mal me para dhe kanë luajtur me të drejtat e njerëzve. Kjo do të mbetet në histori si një faqe e turpshme për vendin tonë”./"The Guardian"
Lini një Përgjigje