
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka folur lidhur me takimin e Ramës në Londër.
Boçi u shpreh se incidentet e ndodhura së fundmi në Londër tregojnë një zhvendosje të kësaj dhune, duke u ushtruar ndaj shqiptarëve të larguar nga atdheu për shkak të politikave represive të qeverisë.
Sipas tij, trajtimi i dhunshëm i protestuesve është një shembull i qartë i mënyrës se si Rama kërkon të ruajë kontrollin përmes frikës dhe presionit.
Boçi akuzoi kryeministrin për nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës, duke përfshirë edhe eskortën e tij personale dhe truprojet e bashkëpunëtorëve të afërt.
“Nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse kemi një zhvendosje të dhunës që Rama e ushtron çdo ditë në Shqipëri, dhe tashmë e shohim të ndodhë diku tjetër, në një vend që nuk imagjinohej, pikërisht në Londër. Dhe jo thjesht dhunë ndaj të tjerëve, por dhunë ndaj shqiptarëve.
Kjo situatë meriton vëmendje, sepse dhuna ushtrohet ndaj atyre njerëzve që janë larguar nga Shqipëria pikërisht për shkak të dhunës së Ramës. Tani, ky njeri, në cilësinë e kryeministrit, shkon dhe i dhunon përsëri, edhe në Londër.
Kushdo që shprehu protestën, mospajtimin apo revoltën e tij, duhej të ishte respektuar, dhe jo të goditej, të agresohej apo të trajtohej në mënyrën që pamë në video – i qëlluar dhe i dhunuar. Siç e sqaroi qartë zoti Lleshi, kjo dhunë u ushtrua nga njerëz të nxitur drejtpërdrejt nga kryeministri, me dorën e tij.
Forcat e sigurisë që zakonisht ruajnë dhe menaxhojnë ambiente të tilla vepruan brenda kufijve të sjelljes normale, duke larguar protestuesit. Ndërkohë, aty ndodheshin truproja të ish-ministrit të Brendshëm dhe vetë Taulant Ballës. Kjo është një situatë shumë e rëndë dhe e turpshme. Po ashtu, ishin edhe pjesëtarë të eskortës së kryeministrit, të cilët, sipas raportimeve, janë nxitur prej tij për të goditur shqiptarët në Londër apo kudo tjetër ku kanë protestuar.
Në këtë kontekst, nuk ka asgjë për t’u habitur. Rama importon dhe zhvendos dhunë, sepse dëshiron të vazhdojë të perceptohet nga shqiptarët si “i forti” që ka bandat me vete, që është kryebanditi i bandave, duke u përpjekur t’ua imponojë shqiptarëve pushtetin dhe sundimin e tij”, u shpreh Boçi për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje