As qeveria shqiptare dhe as opozita nuk reaguan publikisht për protestën mbi gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup për çështjen e gjuhës shqipe ka kaluar pothuajse në heshtje në politikën shqiptare. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga qeveria shqiptare, Partia Socialiste apo Partia Demokratike lidhur me protestën dhe shqetësimet e ngritura nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
E vetmja figurë politike nga mazhoranca që ka reaguar publikisht është ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale për situatën dhe protestën në Shkup.
“Në Shkup, studentët shqiptarë protestuan për gjuhën shqipe. Vetëm ky fakt është mjaftueshëm i rëndë për të kuptuar se problemi nuk është procedural, por thellësisht politik, institucional dhe moral. Protesta e djeshme tregoi se ndonjëherë një shtet i zbulon çështjet e pazgjidhura jo në sallat e parlamentit dhe as në deklaratat politike, por në rrugë. I zbulon në fytyrat e studentëve. Në mënyrën se si një i ri detyrohet të protestojë për diçka që në Europë do të duhej të ishte zgjidhur prej kohësh”, shprehet Spiropali.
Ajo thekson se çështja nuk lidhet vetëm me një provim në gjuhën shqipe, por me vetë trajtimin e shqiptarëve si faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut.
“Problemi nuk është vetëm një provim në gjuhën shqipe. Problemi është shumë më i thellë. Është fakti se barazia e shqiptarëve ende trajtohet si kompromis politik dhe jo si themel kushtetues i shtetit. Një gjuhë nuk është përkthim administrativ. Është dinjitet, kujtesë dhe identitet. Është mënyra se si një popull i mbijeton historisë, kohës dhe çdo përpjekjeje për zbehje apo asimilim”, vijon reagimi i saj.
Më tej, Spiropali deklaron se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje, por të drejta që sipas saj duhet të ishin garantuar prej kohësh.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë atë që duhet të ishte zgjidhur para shumë vitesh dhe që në këtë shekull nuk do të duhej të diskutohej më. Shqiptarët si etnitet politik, gjuha shqipe dhe të drejtat kolektive duhet të jenë të përcaktuara qartë, fort dhe pa ekuivok në Kushtetutën e shtetit, sepse shqiptarët nuk janë pakicë e toleruar, por një nga shtyllat shtetformuese të vetë Maqedonisë së Veriut”, deklaron ajo.
Në fund të reagimit të saj, Spiropali bën thirrje për më shumë dialog dhe vizion politik në raport me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë moment kërkohet më shumë urtësi, më shumë dialog dhe më shumë vizion. Kërkohet besim se barazia nuk e dobëson shtetin, e forcon atë. Se respektimi i gjuhës, dinjitetit dhe identitetit të shqiptarëve nuk është kërcënim për askënd, por garanci për një Maqedoni të Veriut më demokratike, më të qëndrueshme dhe më europiane. Sepse në fund, gjuha shqipe është pjesë e shpirtit tonë. Dhe askush nuk mund t’i kërkojë një populli të heshtë në gjuhën e vet”, përfundon reagimi i saj.
Bravo, zonja Spiropali! Po befasoni per te mire. Po liderucat hajdut antishqiptar, Salehu e Ramuti ku jane fshehur?