Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se projekti për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano mund të përbëjë, sipas tij, “aferën më të madhe korruptive në Europë”, duke e lidhur çështjen me kryeministrin Edi Rama.
Duke iu referuar hetimit të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Berisha u shpreh se dosja e sekuestruar është vetëm fillimi i zbardhjes së aferës.
“Dubai i 1001 netëve i Ramës me enturazhin e tij. Dosja u hap nga SPAK, ajo është vetëm fillimi. Afera më e madhe korruptive në Europë ndoshta është porti i Durrësit, që shkon 4 mln euro.”, tha Berisha.
SPAK ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me procedurën e tenderit për projektin e Porto Romanos, duke sekuestruar dokumentacionin përkatës. Sipas burimeve, dosja është marrë të martën në ambientet e Autoritetit Portual Durrës, ku administrohej i gjithë dokumentacioni i prokurimit.
Projekti për ndërtimin e portit të ri ka një vlerë të përafërt prej 400 milionë eurosh dhe është zhvilluar në dy faza: atë të parakualifikimit dhe fazën përfundimtare të kualifikimit.
Gjatë fazës së parë është skualifikuar një kompani nga Holanda, ndërsa më 9 mars është paraqitur vetëm një ofertë financiare. Në garë ka mbetur një kompani greke, e cila ka vijuar me procedurën përmbyllëse.
Hetimi i SPAK synon të verifikojë nëse gjatë zhvillimit të tenderit janë respektuar kërkesat ligjore dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Deri më tani, Autoriteti Portual Durrës nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me sekuestrimin e dosjes.
Lini një Përgjigje