Projekti në fjalë ka një vlerë të përafërt prej 400 milionë eurosh dhe është zhvilluar në dy etapa: faza e parakualifikimit dhe ajo e kualifikimit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me tenderin për projektin e Porto Romanos, duke sekuestruar dosjen përkatëse të procedurës së prokurimit.
Sipas burimeve, dokumentacioni është marrë të martën në ambientet e Autoritetit Portual Durrës, ku administrohej e gjithë dosja e tenderit. Projekti në fjalë ka një vlerë të përafërt prej 400 milionë eurosh dhe është zhvilluar në dy etapa: faza e parakualifikimit dhe ajo e kualifikimit.
Gjatë fazës së parë është skualifikuar një kompani nga Holanda, ndërsa më 9 mars është dorëzuar vetëm një ofertë financiare. Në garë ka mbetur një kompani greke, e cila ka vijuar me fazën përmbyllëse të procedurës.
Hetimi i SPAK synon të verifikojë nëse gjatë zhvillimit të tenderit janë respektuar kërkesat ligjore dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Deri në këtë fazë, Autoriteti Portual Durrës nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar në lidhje me sekuestrimin e dosjes.
Ndërhyrja e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e Porto Romanos ka ardhur në një klimë politike shumë të ndjeshme. Sipas burimeve, kryeministri Edi Rama ka diskutuar me grupin parlamentar socialist mbi atë që ai i ka cilësuar si presione të jashtme ndaj hetimeve që po zhvillohen në vend.
Një burim i pranishëm në mbledhjen e mbajtur në Pallatin e Brigadave bën me dije se Rama u ka thënë deputetëve se qeveria gjermane po ndërmerr veprime që, sipas tij, cenojnë interesat e Shqipërisë. Ai ka përmendur konkretisht ministrin e Jashtëm gjerman, duke pretenduar se Berlini ka pasur ndikim në nxitjen e hetimeve të SPAK, fillimisht për çështjen e AKSHI-t dhe së fundmi për tenderin e Porto Romanos.
“Po shfrytëzojnë dobësitë tona për të na penguar”, mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë mbledhjes.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Wadephul, vizitoi Tiranën në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë qëndrimit të tij ai zhvilloi takime me drejtues politikë, si dhe me kreun e SPAK, Altin Dumani. Në atë kohë, Wadephul vlerësoi publikisht punën e Prokurorisë së Posaçme, duke u shprehur se SPAK po bën “një punë vërtet shumë të shkëlqyer” në luftën kundër korrupsionit.
Hetimi për Porto Romanon shton një tjetër çështje të ndjeshme në axhendën e SPAK, pas dosjes së tenderave të AKSHI-t. Në këtë të fundit, në qendër të hetimeve është Ergys Agasi, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit, i shpallur në kërkim për përfitime të dyshuara të paligjshme në procedura publike.
Mbetet ende e paqartë nëse hetimi për projektin e portit të ri në Porto Romano lidhet drejtpërdrejt me procedurën e tenderimit apo me elementë të tjerë të procesit, në një garë ku disa kompani të mëdha europiane u skualifikuan dhe në fund në konkurrim mbeti vetëm një operator.
Projekti i Porto Romanos konsiderohet një nga investimet infrastrukturore më të rëndësishme në vend, ndërsa zhvillimet e fundit pritet të thellojnë debatin politik mbi rolin e SPAK dhe hetimet që prekin projekte strategjike të qeverisë.
Një punë kaq masive për zhvendosjen e dheut, gërmimin dhe ndërtimin e një ndërtese të tillë! Këtë mund ta bënin vetëm 5 kompanitë e mëdha në botë. Siç po shoh, këto 5 kompani të mëdha u skualifikuan të gjitha! Ka një erë të keqe këtu! Me të gjitha këto mund të themi një gjë: Autoritetet nuk donin të ndërtonin një port. Ata donin të luanin me topin dhe të fitonin kohë derisa projekti i Marinës të arrinte në një fazë të avancuar. Më pas, Ministri do t'ia jepte detyrën e portit të ngarkesave Kastratit. Ky ishte qëllimi i lojës.