TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shkurt 2026, 13:04

Protestat në Rrjoll kundër resortit të Bashkim Ulajt, banorët përplasje të përgjakura me policinë

Shkruar nga Pamfleti

Banorët përplasen me policinë dhe kundërshtojnë punimet e nisura nga kompania “Gener 2” në zonën që e konsiderojnë pronë të tyre.

Protestat në Rrjoll kundër resortit të Bashkim Ulajt,
Protestat në Rrjoll kundër resortit të Bashkim Ulajt

Prej një muaji, banorët e Rrjollit në Velipojë kundërshtojnë ndërtimin e resortit “Blue Borgo”, një projekt turistik i lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj.

Ata pretendojnë se punimet po zhvillohen në tokat e tyre dhe kanë tentuar në mënyrë të vazhdueshme të pengojnë aktivitetin në kantier.

Situata në terren është tensionuar ditët e somte. Disa prej banorëve janë parë me duar të gjakosura, ndërsa dy qytetarë janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore pas kontaktit fizik me efektivët.

Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë kundërshtimin dhe nuk do të heqin dorë nga pretendimet për pronësinë. Sipas tyre, toka ku po ndërtohet resorti u përket familjeve të zonës dhe çdo ndërhyrje pa zgjidhje përfundimtare ligjore përbën cenim të së drejtës së pronës.

Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë njohu të drejtën e pronësisë së familjes Malaj mbi një sipërfaqe prej 20,700 metrash katrorë, rreth 2.1 hektarë, në fshatin Rrjoll. Kjo sipërfaqe ndodhet në një zonë kufitare me territorin ku po zbatohet projekti turistik. Gjykata pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave, duke mbyllur një proces gjyqësor të nisur në vitin 2018 dhe të zgjatur për tetë vite.

Pas këtij vendimi, banorët shprehin pritshmëri që gjykata të shqyrtojë edhe çështjen e parcelës ku po ndërtohet resorti. Ata kundërshtojnë pretendimin e pronësisë nga Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor i Kadastrës dhe përfaqësues i Partisë së Lirisë, i cili deklaron se zotëron tokën në fjalë. Banorët e akuzojnë për falsifikim dokumentesh në procesin e regjistrimit të pronës.

Ndërkohë, punimet për ndërtimin e “Blue Borgo” nisën në fillim të shkurtit, pasi subjekti zhvillues siguroi lejen e ndërtimit. Projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 146 hektarësh dhe parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi. Plani përfshin objekte nga tre deri në dhjetë kate mbi tokë, si dhe një kat nëntokë. Zhvillues i investimit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e cila mban statusin e investitorit strategjik.



protestat në rrjoll kundër resortit të bashkim ulajt banorët përplasje të përgjakura me policinë

Lini një Përgjigje