TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shkurt 2026, 10:40

"Na është bllokuar hyrja e fshatit", banorët e Poliçanit në protestë për rrugën e re Tërpan-Përmet

Shkruar nga Pamfleti
"Na është bllokuar hyrja e fshatit", banorët e
Banorët e Poliçanit në protestë për rrugën e re Tërpan-Përmet

Banorët e fshatit Tërpan, në bashkinë e Poliçanit, kanë protestuar këtë të enjte, duke bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale Tërpan–Përmet.

Ata shprehen se ky veprim synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga punimet në rrugë.

Sipas banorëve, ndërtimi i aksit nacional Tërpan–Ballaban–Përmet ka sjellë bllokimin e rrugës hyrëse të fshatit. Ata pretendojnë se segmenti është ngushtuar ndjeshëm, duke vështirësuar hyrjen në banesa dhe aksesin drejt plantacioneve me ullinj. Po ashtu, banorët theksojnë se gjatë punimeve janë dëmtuar apo bllokuar kanalet kulluese, çka ka shkaktuar vërshimin e ujërave në zonën e banuar.

Sipas tyre, edhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar, situata e krijuar ka sjellë një sërë problematikash në jetën e përditshme. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen e rrugës së fshatit, në mënyrë që të kenë akses normal me automjete drejt banesave dhe me mjete bujqësore drejt tokave të tyre.

Administratori i Njësisë Administrative Tërpan, Fatmir Çela, ka deklaruar se shqetësimet e ngritura nga banorët janë të drejta. Ai ka sqaruar se prej disa ditësh punimet e kompanisë që po zbaton projektin kanë bllokuar dhe ngushtuar rrugën dytësore ekzistuese që shërben si hyrje për në fshat.

Çela ka bërë të ditur se problematika i është përcjellë Bashkisë Poliçan, e cila, sipas tij, ka konfirmuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës. Ndërsa sa i takon gurëve të rënë gjatë punimeve, administratori theksoi se përgjegjësia për këtë çështje i takon firmës ndërtuese.

Lini një Përgjigje