TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shkurt 2026, 08:46

Hidhet shorti, tre gjyqtarët që do të vendosin për fatin e Erion Veliajt

Shkruar nga Pamfleti

Kryebashkiaku u vu në pranga më 10 shkurt të vitit 2025,  i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Hidhet shorti, tre gjyqtarët që do të vendosin për fatin e
Treshja që do të gjykojë Erion Veliajn në GJKKO

Këtë të premte është hedhur shorti për treshen e gjyqtarëve të cilët do të gjykojnë dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gjyqtarja kryesuese do të jetë Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy gjyqtarët e tjerë do të jenë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.

Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje. 

Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua në 10 Shkurt 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë.  

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

gjyqi për erion veliajn

Lini një Përgjigje