Rritja e ndjeshme e qarkullimit pas shembjes së një pjese të rrugës kombëtare në zonën e Arrave të Gurrës, në Dragostunjë të Librazhdit, ka detyruar institucionet të forcojnë masat për sigurinë rrugore. Masat janë përqendruar si në rrugët alternative të përdorura nga drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe në zonën ku po kryhen punimet.
Bashkia Librazhd, në koordinim me Policinë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, ka vendosur sinjalistikë të re ndaluese dhe orientuese. Mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët me mbi 40 pasagjerë nuk lejohen të qarkullojnë në akset rurale Spathar–Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht dhe në kthim, si edhe në segmentin Dragostunjë–Hotolisht. Këto kufizime synojnë të shmangin mbingarkesën e rrugëve rurale, të cilat nuk janë të ndërtuara për fluks të lartë dhe aktualisht po përballen me shtim të lëvizjes së automjeteve.
Strukturat e Policisë së Shtetit dhe Policia Bashkiake e Librazhdit po kryejnë monitorim të vazhdueshëm në terren, me qëllim garantimin e rendit dhe parandalimin e situatave të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shtuar sinjalistikën paralajmëruese dhe orientuese në aksin Elbasan–Gramsh–Moglicë–Strelcë–Lozhan–Maliq, i cili është kthyer në një nga rrugët kryesore lidhëse mes Tiranës dhe juglindjes së vendit.
Për shkak të rrezikut në zonën e dëmtuar, Policia Rrugore, në bashkëpunim me kompaninë ANK, ka vendosur bllokimin e plotë të perimetrit të sigurisë në segmentin e Arrave të Gurrës, në të dy drejtimet, në një gjatësi mbi 3 kilometra.
Sipas autoriteteve, kjo masë është e domosdoshme për të garantuar sigurinë publike dhe për të mundësuar vijimin normal të punimeve në kantier.
Në këto rrethana, drejtuesit e mjeteve u bëhet thirrje të zbatojnë me përpikëri sinjalistikën e vendosur, udhëzimet e policisë dhe kufizimet në fuqi, duke treguar kujdes të shtuar në rrugët alternative, veçanërisht në segmentet Dragostunjë – Hotolisht dhe Spathar – Hotolisht. Autoritetet theksojnë se siguria rrugore mbetet prioritet në këtë situatë emergjente dhe bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të shmangur incidente deri në rikthimin e normalitetit.
Lini një Përgjigje