Përfaqësues të shoqërisë civile në Qarkun Korçë kanë reaguar publikisht pas rrëshqitjes së dherave që çoi në bllokimin e aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, një segment i rëndësishëm që lidh juglindjen e vendit me Tiranën.
Sipas tyre, situata e krijuar ka prodhuar efekte të menjëhershme në planin ekonomik dhe social, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve, rritur kostot e transportit dhe vështirësuar aktivitetin normal të bizneseve në rajon.
Më të prekurit konsiderohen sektorët e turizmit, transportit dhe tregtisë. Devijimi i qarkullimit në rrugë alternative, theksojnë ata, ka shtuar rrezikun për aksidente për shkak të fluksit të shtuar dhe infrastrukturës jo të përshtatshme për përballimin e një trafiku të tillë. Përfaqësuesit e shoqërisë civile ngrenë shqetësimin se izolimi i pjesshëm i zonës po ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë familjare dhe në zinxhirin e furnizimit me mallra.
Një tjetër çështje e ngritur lidhet me furnizimin me karburant. Sipas raportimeve, kamionët e transportit të naftës pritet të devijohen përmes Kosovës dhe jo nga Maqedonia e Veriut, gjë që mund të përkthehet në kosto shtesë dhe rritje të çmimeve në tregun vendas.
Në reagimin e tyre, ata i kanë bërë thirrje institucioneve qendrore, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, të ndërhyjnë pa vonesë dhe të paraqesin një plan të detajuar me afate të qarta për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt.
Ndër kërkesat kryesore përmenden ndërhyrja e menjëhershme për përmirësimin e akseve alternative, masa mbështetëse për bizneset dhe qytetarët e prekur, sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me mallra dhe karburant, si edhe transparencë përmes raportimeve periodike mbi ecurinë e punimeve.
Shoqëria civile thekson se Qarku Korçë është një pikë kyçe ekonomike dhe ndërkufitare, ndaj bllokimi i këtij segmenti nuk përbën vetëm një problem lokal, por një situatë me ndikim kombëtar që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të qartë.
Ju te Korces e keni te lehte, shkoni para shtepise te Niko Peleshit dhe protestoni