Përdorja e forcave të policisë në shkelje flagrante të ligjit, ka krijuar dyshime dhe po flitet, se drejtori Ilir Proda dhe shefat e policisë që dirigjojnë dhunën në Rrjoll, po shpërblehen nga Bashkim Ulaj...

150 efektivë të dislokuar në terren, pretendime për shpërblime ditore dhe përfshirje të strukturave private sigurie në mbështetje të projektit të resortit...
Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit që nisi njohjen e pronësisë për familjet e Rrjollit, Policia e Shtetit ka shtuar praninë në zonë, ndërsa vijojnë përplasjet me banorët që kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt. Burime të cituara pretendojnë se efektivëve u jepet një shtesë financiare ditore për shërbimin në terren dhe se në zonë janë parë edhe persona të lidhur me struktura private sigurie. Situata ka ngritur debate mbi përdorimin e forcave të rendit në një konflikt pronësie dhe mbi interesat që lidhen me projektin.
Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, që ka nisur të njohë pronësinë e tokave familjeve të zonës së Rrjollit në Velipojë, Policia e Shtetit ka rritur praninë dhe ndërhyrjet ndaj banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt.
Ditën e enjte, sipas pretendimeve të banorëve, në zonë u shfaq edhe një grup personash të armatosur, të pajisur me uniforma të një kompanie private sigurie të lidhur me Erzen Breçanin, i arrestuar më herët nga SPAK në një çështje për grup të strukturuar kriminal.
Prania e shtuar policore në Rrjoll, sipas burimeve të cituara nga “Pamfleti”, është urdhëruar nga drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe po zbatohet me dislokim të përhershëm të forcave në terren.
Sipas informacionit të ardhur nga burime brenda Policisë së Shtetit, konkretisht nga Drejtoria e Financës, për dislokimin me tre turne në Rrjoll policëve u jepet një shtesë financiare ditore.
Burimet thonë se, përveç pagës, efektivëve u jepet një shpërblim prej 30 mijë lekësh të vjetra në ditë për shërbimin në zonë. Këto pagesa, sipas të njëjtave burime, mbulohen nga fondi i veçantë i Policisë dhe nga të ardhurat e gjobave, të destinuara për situata të veçanta të sigurisë publike dhe operacione speciale.
Banorët pretendojnë se fondet po përdoren për të garantuar vijimin e punimeve të resortit dhe për të larguar me forcë protestuesit nga tokat që ata i konsiderojnë pronë të tyre.
Në opinionin publik po qarkullojnë pretendime se disa drejtues policie mund të kenë përfituar shpërblime të paligjshme nga subjekte private për të vijuar ndërhyrjet në zonë, por këto mbeten akuza që kërkojnë verifikim nga organet e drejtësisë.
Sipas të njëjtave burime, shpërblimet për efektivët do të vijojnë për aq kohë sa ata do të qëndrojnë në Rrjoll, në varësi të urdhrave operativë.
Nga ana e tij, Bashkim Ulaj ka deklaruar publikisht se nuk do të tërhiqet nga ndërtimi i resortit në Rrjoll. Policia vijon të qëndrojë në zonë, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë rezistencën.
Përdorimi i forcave të rendit në një konflikt pronësie dhe zhvendosja e tyre nga sektorë të tjerë të sigurisë ka ngritur debate publike mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes dhe mbi interesat që qëndrojnë pas projektit. Çështja mbetet në vëmendje të institucioneve dhe kërkon verifikim të plotë ligjor./Pamfleti
Nga ta kapesh dhe ku ta kesh!kudo krimi I organizuar,kudo krimi I organizuar ne lidhjen me shtetin,gjithmone!ke gure te levizesh,qeveria do jete e lidhur me krimin!Deri sa banoret e fituan gjyqin cfare Po ndodh aty?me c'te drejte vazhdojne perpjekjet per t'u marre pasurite e tyre dh c'do policia qe nderhyn me kaq zell te madh ne nje konflikt personal?