
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas miratimit në kuvend të Deklaratës për Mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, të datës 23 maj 2024.
Përmes një reagimi në Facebook, Kurti shkruan se vlerëson maksimalisht miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në OKB.
“Përmes kësaj deklarate, shteti ynë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, duke riafirmuar kundërshtimin e Republikës së Kosovës ndaj mosndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe për të kërkuar paqen e qëndrueshme, drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin, e vlerëson lartë miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, tha Kurti.
Ai u shpreh se me anë të kësaj deklarate në Kuvendin e Kosovës, Republika e Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës, si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen.
“Për këto arsye dhe të tjera që rrjedhin prej tyre, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për çka angazhohet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përkujtuese dhe në nderim të viktimave”, shkruan Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se populli ka qenë viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sikurse ai i Bosnjës.
“Duke qenë edhe vetë viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, populli i Kosovës e ka gjithë empatinë dhe solidaritetin me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe me popullin e Bosnjë e Hercegovinës.
Shoqëria dhe shteti i Kosovës as nuk harron dhe as nuk falë krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-’99”. Në përkujtim të viktimave të gjenocidit, për drejtësi, për të vërtetën dhe për historinë", ka shkruar Kurti.
Lini një Përgjigje