Protestë kombëtare apo shfaqje politike sot në shesh?
Kohët e fundit ka pasur një lajm të mirë për liderin veteran të opozitës shqiptare dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpiak që prej dhjetorit të vitit 2023, ndërsa po hetohet për një çështje korrupsioni.
Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi më 11 qershor se Berisha dhe aleatët e tij janë lidershipi legjitim i Partisë Demokratike.
Që nga rënia e komunizmit, pushteti në Shqipëri është mbajtur gjithmonë ose nga Partia Socialiste, e cila ka qenë në detyrë në dekadën e fundit ose nga Partia Demokratike, e cila u krijua në fillim të viteve 1990 si reagim ndaj brutalitetit të komunizmit.
Por për tre vitet e fundit, Partia Demokratike ka pësuar ndarje të paprecedentë, me dy grupe që luftojnë për kontroll dhe të gjitha burimet e partisë janë të përqendruara në "luftën" e brendshme dhe jo në politikën e përditshme.
Pasi Gjykata e Apelit vendosi se partia i përket grupit të Berishës, ekspertët thanë për BIRN se duhej një ndryshim në retorikën dhe aktivitetet e saj. Por ata kritikuan edhe mungesën e një plani konkret.
Ekziston gjithashtu çështja nëse 79-vjeçari Berisha mund të udhëheqë efektivisht, ndërsa është në arrest shtëpiak dhe i paaftë për të bërë fushatë publike për zgjedhjet e përgjithshme të 2025.
Ai po hetohet për abuzime gjatë kohës që ishte kryeministër, në periudhën 2005-2013. Dyshohet se ai ka shpërdoruar detyrën duke ndihmuar në privatizimin e një toke publike, që më pas të përdorej për të ndërtuar apartamente nga dhëndri i tij. Berisha pretendon se hetimi është i motivuar politikisht.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka pohoi se administrata e Ramës shpreson se akuzat e korrupsionit do të bllokojnë rrugën e Berishës për t'u kthyer në pushtet. “Qëllimi kryesor i burgosjes politike të Berishës është largimi i tij nga politika”, këmbënguli Noka.
“Berisha është lideri legjitim i PD-së dhe do ta çojë PD-në dhe opozitën drejt fitores”, shtoi ai.
Gjiganti politik, forca e të cilit është zbehur!
Berisha ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, një gjigant i politikës shqiptare postkomuniste që ka shërbyer si president por edhe kryeministër. Por forca e tij është zbehur në dekadën e fundit, pasi partia humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ai dha dorëheqjen si lider i partisë.
Ai u përjashtua në vitin 2021 nga grupi parlamentar i partisë nga lideri i atëhershëm i partisë, Lulzim Basha, pasi Shtetet e Bashkuara, aleati më i rëndësishëm i Shqipërisë, e akuzuan Berishën për përfshirje në “korrupsion madhor” dhe e shpalli atë persona non grata.
Berisha iu kundërvu Bashës, i cili e kishte pasuar atë si lider në vitin 2013 dhe kjo solli një ndarje në radhët e partisë. Pronësia ligjore e partisë më pas u bë çështje gjyqësore.
Ndërkohë që pati më shumë trazira të brendshme në vitin 2022, kur Basha dha dorëheqjen si lider dhe kreu i grupit parlamentar të partisë Enkelejd Alibeaj, mori detyrën, derisa Basha rimori drejtimin në korrik të vitit 2023.
Në këto vite përçarje dhe konflikti, dukej qartë se Berisha kishte më shumë mbështetje numerike se Basha, por që nga arrestimi i tij, aktiviteti i tij ka qenë i kufizuar.
Besnikët e Berishës thanë për BIRN se lidershipi i tij i PD-së tani është i pakontestueshëm. Deputeti Agron Gjekmarkaj, deklaroi se “partia ka liderin e saj të padiskutueshëm, ai është Sali Berisha... I tillë është konfirmuar nga demokratët, jo nga vendime jashtë partisë”.
Një tjetër deputet, Luçiano Boci, tha se: “Sali Berisha është lideri i mandatuar, i besuar pas zgjedhjeve vendore në maj të vitit 2023 për të drejtuar PD-në në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës”.
Boçi argumentoi se problemet që vërtiten rreth Berishës nuk do ta pengojnë atë politikisht. “Ai di të ekzistojë në terrene të vështira dhe do të dijë ta bëjë këtë gjatë fushatës”, tha Boçi.
“Fuqia e fjalëve dhe fuqia e mendjes së tij imponojnë praninë e tij në çdo moment në vijën e parë të konfrontimit politik”, deklaroi ai.
“Opozita ka nevojë për reforma të brendshme”
Pavarësisht lavdërimeve të zjarrta për fuqinë politike të Berishës nga aleatët e tij, analistët nuk janë aspak të sigurt se ai mund të rikthehet në pushtet në Shqipëri.
Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit me qendër në Shqipëri, tha për BIRN se pas vendimit të gjykatës nuk priste asgjë të re nga partia e Berishës.
“Nuk mund të presim ngjarje të reja me emra të vjetër. PD është e modës së vjetër. Për vite me radhë, ajo nuk ka prodhuar asnjë id, asnjë guxim, asnjë shpresë, asnjë shkëndijë politike”, tha Gjoni.
'Protesta kombëtare' apo shfaqje politike?
Më 11 korrik, pra sot, Partia Demokratike do të mbajë atë që e cilësoi si “protestë kombëtare”, kundër qeverisë socialiste të kryeministrit Rama, e cila vitet e fundit është goditur nga një sërë skandalesh korrupsioni që po hetohen nga SPAK.
Më i fundit ishte arrestimi i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj i dyshuar për abuzim me fondet e BE-së si kreu i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e cila monitoron fondet që Shqipëria merr nga BE.
“Më 11 korrik do të keni shansin të shihni një manifestim zemërimi dhe shprese dhe prezantimin e një projekti si për Shqipërinë ashtu edhe për të gjithë Europën”, tha Gjekmarkaj.
Por, Afrim Krasniqi tha se opozita nuk ka qenë në gjendje të reagojë siç duhet kundër “qeverisjes së keqe” që ai tha se ka trazuar Shqipërinë.
“Edhe mitingu i shpallur në datën 11 është më shumë për të konfirmuar PD-në si forcën kryesore të opozitës, jo një miting për të bashkuar qytetarët dhe për të krijuar një frymë të re në Shqipëri”, argumentoi ai. /Përshtati “Pamfleti” nga “Balkan Insight”
Lini një Përgjigje