
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se qeveria ende nuk e ka shpallur vakancën për Bashkinë e Kukësit pas shkarkimit të Safet Gjicit. Ai shprehet se kjo heq mundësinë që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën ditë me bashkinë e Rrogozhinës dhe shtoi se për Bashkinë Kukës do të ketë një proces zgjedhor nga e para.
“Për Kukësin nuk është ka ndonjë afat në lidhje me njoftimin nga Këshilli i Ministrave për krijimin e vakancës. E shoh të vështirë të kombinojnë datat pasi çdo ditë që ikën, heq mundësinë që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën datë. Nëse flasim për Rrogozhinën do të kemi të njëjtët kandidatë, të njëjtat subjekte zgjedhore. Ndërsa në rastin e Kukësit, do të kemi një proces zgjedhor nga e para, me kandidatë të rinj, listë të re zgjedhësish”, u shpreh Celibashi.
Sa i përket Rrogozhinës, KQZ do të shfrytëzojë afatin maksimal në dispozicion për të organizuar zgjedhjet.
“Do duhet të presim edhe shqyrtimin e fundit në Kolegjin Zgjedhor për Kuçovën. Nëse Kolegji do të vendosë brenda kësaj jave mbi këtë çështje, ne do preferonim të merrnim një vendim në fillim të javës tjetër, duke pasur si datë të mundshme 23 Korrik, si një datë të përshtatshme edhe në kuptimin e kohës në dispozicion për të realizuar zgjedhjet”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje