Deputetja Jorida Tabaku ka reaguar nëpërmjet një postimi, lidhur me kthimin e këstit të marrë nga 10 mijë profesionet e lira.
Ndërsa qeveria shqiptare vazhdon të diskutojë nëse duhet apo jo të rikthejë këstin e marrë për 10 mijë profesionistë të lirë, deputetja e PD që e dërgoi Taksën e Profesionistëve të Lirë në Gjykatë Kushtetuese ka kërkuar edhe një herë që qeveria të ndërmarrë një akt të guximshëm dhe të ndershëm ndaj shtresës së mesme duke ia rikthyer këstin e paguar që në total kap shifrën e 10 mln eurove.
“10 mijë profesionistë të lirë paguan këstin për një taksë që sot është antikushtetuese me vendim gjykate. I takon qeverisë që të ngrihet në lartësinë e mbrojtjes së interesave të qytetarëve duke vepruar me shpejtësi dhe drejtësi ndaj atyre që padrejtësisht u ka marrë mbi 10 milionë euro taksa nga xhepi i tyre”, shkruan Tabaku në postimin e saj në Facebook.
Ajo i ka kujtuar qeverisë skemën që u përdor gjatë pandemisë ku qeveria morri vendim për t’ia kthyer këstet e taksave sipërmarrjes. Tabaku nënvizoi se një akt i tillë do të ishte plotësisht në linjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
"Një vendim i qartë nga Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Taksën ndaj Profesionistëve të Lirë, duke zhbërë një taksë irracionale dhe anti-biznes që mazhoranca dhe qeveria socialiste miratuan me nxitim një vit më parë. Ky vendim i dha të drejtë punonjës të shtresës së mesme që, përmes profesioneve të tyre, i bëjnë nder vendit tonë dhe i japin të ardhura familjeve të tyre.
Mirëpo fatkeqësisht, nën presionin e qeverisë socialiste, 10 mijë profesionistë të lirë paguan këstin për një taksë që sot është antikushtetuese me vendim gjykate. I takon qeverisë që të ngrihet në lartësinë e mbrojtjes së interesave të qytetarëve duke vepruar me shpejtësi dhe drejtësi ndaj atyre që padrejtësisht u ka marrë mbi 10 milionë euro taksa nga xhepi i tyre.
Duhet t’ia rikthejë ato miliona euro nga xhepi i Profesionistëve të Lirë përmes një vendimi të thjeshtë të qeverisë, njësoj siç u veprua gjatë pandemisë COVID-19. Kaq do të mjaftonte që sot në xhepat e 10 mijë profesionistëve të lirë të riktheheshin 10 milionë euro, një shumë e papërfillshme për buxhetin, por që është shumëçka për portofolin e shtresës së mesme dhe buxhetin e familjeve të tyre.
Kjo është një zgjidhje e thjeshtë. A do të jetë kjo qeveri në krahun e Sundimit të Ligjit duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, apo në krahun e padrejtësisë dhe pandershmërisë që janë arma e një qeverie pakice në kurriz të shumicës?!
Ne, si opozitë, e kemi bërë zgjedhjen tonë të qartë; jemi në krahun e shtresës së mesme dhe të atyre 30 mijë profesionistëve të lirë që punojnë dhe investojnë për profesionin e tyre, duke i dhënë Shqipërisë oksigjenin e sipërmarrjes së vogël që i mungon prej kaq shumë kohësh", thotë Tabkau.
Lini një Përgjigje