
Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje administratës publike gjatë fjalës së tij, duke theksuar se, ndonëse në fillim kishte pasur rezerva, përvoja e procesit të “screening” me Bashkimin Europian i kishte ndryshuar bindjen.
Ai pranoi se kishte dyshime mbi aftësinë e administratës për të përballuar negociatat me BE-në.
“E përsëris, unë kam pasur rezerva për administratën publike dhe kam qenë edhe unë viktimë e të njëjtit perceptim… por edhe kaq të rezervuar e kisha kur thosha do t’i hapim negociatat, por si do e përballojmë ne me këtë administratë ata peshkaqenët atje që janë të rrahur dhe kanë negociuar me vende shumë më të mëdha se ne”, u shpreh Rama.
Sipas tij, muajt e procesit të shqyrtimit analitik treguan të kundërtën. “U deshën muajt e screening që të shihja se administrata nuk ishte problemi, por zgjidhja për një sërë problemesh”, deklaroi ai.
Rama u ndal edhe te marrëdhënia me institucionet e drejtësisë, duke theksuar se mazhoranca nuk synon të bëjë presion, por të kërkojë mirëkuptim.
“Qëllimi ynë si forca udhëheqëse e reformës në drejtësi nuk është të bëjmë presion por të kërkojmë mirëkuptim për gjëra të domosdoshme. Askush nuk ka ngritur dhe nuk do të ngrejë asnjë pretendim që pengon hetimet”, tha ai.
Kryeministri kritikoi mënyrën se si janë trajtuar disa punonjës të administratës në procedura hetimore. Rama deklaroi se punonjës të administratës publike janë vënë nën presion për të pranuar faje që nuk i kanë kryer.
“Është për të qarë kur paketohet si kërkesë për arrest me ca argumente që i thonë logjikës mbylle gojën se të futa brenda… Duke etiketuar punonjës të administratës si të ishin organizatë kriminale dhe duke përcjellë në tërë tenxheret e Shqipërisë haberin që nuk ka asgjë të gëzueshme në një ditë të shenjtë ku e gjithë bota rri me familjet në shtëpi”, u shpreh ai.
Ai shtoi se “Shteti ligjor nuk është antiligjor as për anti-kriminelët më të mëdhenj, jo më për punonjësit e administratës”, duke ngritur shqetësimin për thirrje dhe mbajtje me orë të tëra të punonjësve gjatë orarit të punës, madje edhe në situata emergjencash natyrore.
Në përfundim, Rama theksoi se administrata publike ka dëshmuar kapacitet përballë procesit të integrimit europian, duke e cilësuar atë si një aset në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Lini një Përgjigje