TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shkurt 2026, 11:28

Rama ironizon protestat e PD: Shkopinj nën rrota dhe bomba artizanale

Shkruar nga Pamfleti
Rama ironizon protestat e PD: Shkopinj nën rrota dhe bomba artizanale
Rama

Kryeministri Edi Rama ironizoi protestat e opozitës, duke i cilësuar si “shkopinj nën rrota dhe bomba artizanale” në rrugën e mazhorancës drejt integrimit europian.

Gjatë fjalës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ai u ndal te sfidat e qeverisjes dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Unë jam besimplotë që do ta kalojmë edhe këtë test. Edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale dhe nuk e kam fjalën vetëm për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pamëshirshëm opozitar, por për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike”, u shpreh Rama.

Rama nuk ka harruar të kritikojë edhe mediat, duke cituar një shprehje popullore dhe akuzuar se 'gënjeshtrat janë as çdo butoni që shtyp'

“Kur gënjeshtra bën xhiron e botës, e vërteta s’kishte veshur akoma pantallonat. Por atëherë nuk kishte ardhur flama e kanaleve; e vetmja tenxhere mediatike ishte tellalli i gënjeshtrave. Sot tellallët janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber”, tha Rma.

Kreu i qeverisë theksoi se mazhoranca duhet të rrisë përqendrimin në punë dhe të forcojë vetëkorrigjimin duke injoruar totalisht opozitën.

“Ndaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona, të mëdha e të vogla, të shtojmë forcat tona. Të përpiqemi edhe më shumë këmbëngulje që të vetëkorrigjohemi dhe përmirësohemi. Jepni ide që të debatojmë së brendshmi, hapur, pa dorashka. Pas debatit dhe ndarjes së opinioneve me njëri-tjetrin, të përqendrohemi në një pikë, dhe në asnjë tjetër: Shqipërinë në BE në vitin 2030”, përfundoi ai.

Lini një Përgjigje