TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shkurt 2026, 21:15

Kush do e emërojë drejtorin? Agjencia e re qeveritare, Çuçi përplaset me Lamallarin

Shkruar nga Pamfleti
Kush do e emërojë drejtorin? Agjencia e re qeveritare,
Lamallari e Çuçi

Ndarja e kompetencave për drejtimin e strukturës së re solli debat mes kryetarit të komisionit dhe ministrit të Drejtësisë

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes shqyrtoi projektligjin për krijimin e një agjencie që do të mbikëqyrë sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Diskutimi u përqendrua te mënyra e emërimit të drejtorit të kësaj strukture, çka solli përplasje mes kryetarit të komisionit, Bledi Çuçi, dhe ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Ministri kërkoi që, për shkak të përgjegjësisë politike që mban për sistemin e burgjeve, të ketë rol në përzgjedhjen e drejtuesit të agjencisë. Ai theksoi se përfaqësuesit e Ministrisë në grupin e punës nuk kanë dhënë dakordësi për formulën e propozuar për emërimin dhe se qëndrimi i tyre përputhet me atë të Këshillit të Ministrave. Sipas tij, qeveria ka mbajtur të njëjtin pozicion që nga momenti i dërgimit të draftit.

Çuçi kundërshtoi argumentin se ndryshimi i mënyrës së emërimit do të dobësonte kontrollin e ministrit mbi agjencinë. Ai sqaroi se kompetencat e ministrit burojnë nga ligji dhe nga hierarkia institucionale, jo nga procedura e emërimit të drejtuesit. Sipas tij, projektligji synon të unifikojë standardin e emërimeve për agjenci të kësaj natyre dhe të përcaktojë qartë raportin mes ministrit dhe Kryeministrit në procesin e propozimit dhe miratimit, raporton A2cnn.

Lamallari theksoi se çështja nuk lidhet me një shqetësim të Ministrisë si institucion, por me standardin që ka përcaktuar qeveria për këtë kategori strukturash. Ai deklaroi se ky standard duhet të garantojë që emërimi të mbetet atribut i ministrit të Drejtësisë.

Pas debatit, komisioni miratoi projektligjin, duke e konsideruar diskutimin të përmbyllur. Agjencia e re pritet të marrë rol në mbikëqyrjen e sistemit penitenciar në vend.

Debatet

Bledi Çuçi: E vetmja gjë që nuk është rakorduar dhe që nga këshilltarët e Kuvendit dhe komisionit më është thënë në lidhje me rakordimin është thjesht mënyra e emërimit të drejtorit të agjencisë. Të tjerat janë të gjitha të ezauruara, se u la përshtypja sikur ju nuk pranoni asnjë nga sugjerimet e variantit të konsoliduar. Pra, përveç faktit se si emërohet drejtori, për të tjerat jeni dakord ju si ministër me variantin që është rënë dakord me përfaqësuesit tuaj të Ministrisë së Drejtësisë, apo jo?

Besfort Lamallari: Po deri në këtë moment që diskutuam jemi dakord, pa përfshirë pjesën e emërimit, dhe ky ka qenë qëndrimi i përfaqësuesve të ministrit në grupin e punës.

Bledi Çuçi: Ju sollët si argument që bie fuqia e kontrollit të ministrit, apo e përgjegjësisë që ka ministri në lidhje me agjencinë, absolutisht nuk është e vërtetë sepse këtë fuqi ia jep ligji, dhe piramida që është ngritur padiskutim, që nga punonjësi më i ulët i nivelit të burgjeve deri tek ministri dhe nuk e jep fuqinë mënyra si emërtohet drejtuesi, por fuqinë ia jep seti i kompetencave që ka gjithsecili sipas hierarkisë në sistemin e Ministrisë së Drejtësisë. Përgjegjësinë politike që ka ministri e ushtron 100 për qind në bazë të ligjit dhe akteve ligjore dhe nënligjore që ka në dispozicion, por e vetmja gjë është që të unifikojmë të gjitha sistemet e emërtesave të agjencive të kësaj natyre në Republikën e Shqipërisë. Nuk mund të ketë drejtues institucioni që të emërohet pa patur një propozues për organin e emërtesës dhe binomi ministër-kryeministër, është binomi më i mirë dhe filtrin e drejtuesit të agjencisë e bën ministri, ai që propozon, ai është filtri i personit që do emërohet si drejtues institucioni.

Besfort Lamallari: Ndërhyrja ime ishte vetëm për efekt të transparencës. Grup i punës që përfaqëson Ministrinë e Drejtësisë nuk ka shprehur dakordësi për këtë gjë, duke i qëndruar argumenteve që kanë përcjellë, duke marrë në referencë edhe ligje të tjera që janë në fuqi sot. Qëndrimi i përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë rikonfirmon qëndrimin e Këshillit të Ministrave që ka shqyrtuar më herët këtë akt, dhe i qëndron këtij versioni. Qëndrimi i qeverisë është i njëjtë si dje kur është përcjellë drafti, si sot që unë po e mbroj këtu.

Bledi Çuçi: Ka agjenci të tëra që janë në emërtesë o me kryeministrin o me Këshillin e Ministrave. Por në rastin konkret ka rëndësi standardi, duhet të çojmë drejt standardit edhe ato që janë jashtë standardit, jo të zhbëjmë standardin. Por meraku që ju keni që zbehet fuqia apo kontrolli, apo përgjegjësia që ka mbi agjencinë forca e ministrit nuk qëndron.

Besfort Lamallari: Nuk është ky meraku i Ministrisë së Drejtësisë. Ky është meraku i qeverisë, qeveria ka shprehur këtë standard dhe s’ka ndryshim mes dje apo sot. Kushdo që ka qenë apo do jetë ministër Drejtësisë, qeveria ka shprehur se ky duhet të jetë atribut i ministrit të Drejtësisë.

 

 

 

 

 

 

 

cuci lamallari perplasja

Lini një Përgjigje