Një mision faktmbledhës nga 28 parti që përfshihen në grupimin e Partive Popullore Europiane zhvillon një vizitë në Shqipëri, ndërsa janë takuar me drejtues të Partisë Demokratike dhe anëtarë të grupit parlamentar të kësaj partie.
Misioni ndodhet në Shqipëri pas kërkesës së vazhdueshme të PD-së lidhur me situatën politike në vend, ndërsa pritet që raporti do i dorëzohet grupimit të PPE-së në Parlamentin Europian, që ka edhe mazhorancën në këtë parlament.
Në një postim në rrjetet sociale, Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, shkruan se gjatë takimit u diskutuan disa çështje, përfshirë zgjedhjet, deformimin e demokracisë, kapjen e institucioneve, pengimi i drejtësisë dhe rrezikun e një shteti të dominuar nga interesa të kriminale.
“Ky mision faktmbledhës nuk është thjesht një vizitë protokollare. Është një sinjal i fortë se zhvillimet në Shqipëri janë tashmë në fokusin europian. Rezolutat e PPE-së po konkretizohen me verifikim në terren dhe me dëgjimin e fakteve”, shkruan ai.
Më herët ishte kreu i PD-së, Sali Berisha që foli lidhur me këtë takim, por pa dhënë detaje. Gjithsesi në fokusin e takimit tha Berisha ishin zgjedhjet e 11 majit, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar si dhe kapja e shtetit.
Lini një Përgjigje