Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e AKSHI-t, duke e cilësuar institucionin si një histori suksesi në transformimin digjital të vendit.
Rama doli hapur në mbrojtje të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në arrest shtëpie, si edhe të stafit të agjencisë, për të cilët tha se kanë punuar pa orar dhe nën presion të vazhdueshëm.
Rama ngriti shqetësimin për mënyrën si po aplikohen masat e sigurisë ndaj zyrtarëve publikë, duke theksuar se sistemi i drejtësisë duhet të ketë parasysh pasojat që prodhon çdo vendim.
Ai la të kuptohet se në rastin e Karçanajt pati nxitim për arrestim dhe paralajmëroi se veprime të tilla mund të krijojnë frikë tek profesionistët që kontribuojnë në administratë.
“Drejtorja e AKSHI sot ndodhet në Arrest shtëpie, nuk dua të them asgjë për çështjen, por dua të them që ky shtet nuk mund të jetë një vend që një institucion krenarie të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierët që me në krye drejtoreshën punonin pa orar. Nuk them që nuk duhet hetuar, e kundërta është e vërtetë. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe të hetohen si të tillë.
Po sikur Linda të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele pjesë e një grupi të strukturuar si personazhi që krijoi nguti për ta arrestuar, duke i vënë në kurriz vila e makina, kur as nuk e nget makinë e s’ka të tillë. Ç’fiton shteti e çmesazh marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet. Po sikur drejtori i KESH, prej muajsh në arrest shtëpie të jetë i pafajshëm, kush humb e kush fiton në këtë mes. Po sikur e njëjta gjë të jetë e vërtetë për 55 përqind e atyre që janë në burgje dhe nuk u është bërë gjyqi?”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje