Kryeministri Edi Rama ditën e sotme e shfrytëzoi mbledhjen e grupit parlamentar për të ngritur shqetësime mbi klimën politike dhe veprimet e Prokurorisë së Posaçme, duke i lidhur ato me sfidat që, sipas tij, po ndikojnë në drejtimin e vendit.
Ai deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar dhe se shumica duhet të rrisë përqendrimin në objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Rama kërkoi më shumë disiplinë të brendshme, vetëkorrigjim dhe debat mes deputetëve, por theksoi se në fund të gjithë duhet të përqendrohen në një pikë të vetme.
“Asokohe populli s’kishte parë gjë, se nuk kishte ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike, tenxherja e vetme ishte tellalli i qytetit, sot tellatet e gënjeshtrave dhe bishtave janë pa çdo butoni që shtyp për të marrë ndonjë haber të ditës. Nuk kemi ç’t’i bëjmë as tellahanes së madhe që na solli jeta të jetojmë duke qenë në krye të vendit në këtë moment kyç. Në rrezik është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit, duhet të rrisnim përqendrimin në punët e mëdha e të vogla, të shtojmë forcat dhe për t’i komunikuar sa më shumë. Të përpiqemi dhe më shumë të vetëkorrigjohemi. Jepni idetë tuaja dhe të debatojmë së brendshmi sesi gjërat duhen bërë më mirë, por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri-tjetrin opinione duhet të përqendrohemi në një pikë, Shqipëria në BE në vitin 2030.", tha Rama.
Në të njëjtën kohë, ai drejtoi kritika të forta ndaj asaj që e cilësoi si zhurmë mediatike dhe si lëvizje të prokurorëve në prag të mandatit të ri të SPAK.
Sipas tij, në disa raste janë lëshuar masa arresti që nuk përbëjnë domosdoshmërisht çështje penale ose që mund të hetohen në gjendje të lirë. Rama përmendi rastin e Durrësit, ku, sipas tij, u prenë dhjetëra fletë arresti, përfshirë ndaj një punonjëseje që përballej me sëmundje të rëndë dhe kishte fëmijë të mitur.
"Shqipëria në BE nuk është një tjetër etapë e zhvillimit, është histori dhe pa diskutim nuk është e lehtë të përqendrohesh në kushtet që përtej zhurmës së përditshme të bombave artizanale që plasin tenxhereve, ka filluar dhe një lëvizje prokurorësh, që janë turrur në garën e mandatit të ardhshëm të SPAK duke prerë fletë arreste me tufa, në rastin më të mirë që nuk janë fare çështje penale, ndërsa në rastin më të keq hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit ndërkohë që dhjetëra fletë të prera nuk u kursye as një punonjëse model, 5 vite në luftë me kancerin dhe me fëmijë 2 muajsh në gji. Apo duke shpërndarë fletëthirrje për paraqitje në prokurori me sasinë e biletave të teatrit deri për absurditete të skajshme siç është një rast emblematik ku një ndërtues pa leje, dhe të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore, ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin. Prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që futën agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje. Me siguri do thonë që sapo kam ndërhyrë në punët e drejtësisë. Jo. Sot do them vetëm 1/1000 që kam për të thënë.”, tha Rama.
Lini një Përgjigje