TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Nëntor 2023, 17:59

Rama në unison me Melonin, zgjedh seancën e fundit parlamentare për të kaluar paktin me refugjatët

Shkruar nga Pamfleti
Rama në unison me Melonin, zgjedh seancën e fundit parlamentare
Rama-Meloni

“Pamfleti” ka siguruar Kalendarin e Punimeve për 3 javët në vijim dhe bie në sy se drafti është lënë për në seancën e fundit.

Mazhoranca ka vendosur të miratojë brenda vitit paktin me Italinë për refugjatët. Edhe pse ka shkaktuar shumë debate dhe nuk ka pasur asnjë konsultim me qytetarët, socialistët janë të vendosur të mos humbasin asnjë minutë kohë.

Teksa vetë Meloni pret ta kalojë në Itali në mes të dhjetorit, mazhoranca do ta kalojë draftin në datën 21 dhjetor, që është dhe seanca e fundit plenare e këtij viti.

“Pamfleti” ka siguruar Kalendarin e Punimeve për 3 javët në vijim dhe bie në sy se drafti është lënë për në seancën e fundit. Strategjia duket se është për të shuar zërat. Pas datës 21 dhjetor, politika dhe administrata marrin pushimet dhe kalimi i draftit nuk do të bëjë aq bujë.

Po ashtu dhe Meloni pret të mos ketë asnjë pengesë dhe kjo do të thotë që në fillim të viti që vjen drafti hyn në fuqi dhe nis menjëherë puna për ardhjen e emigrantëve. Vetë opozita jonë ka paralajmëruar padi në Kushtetuese, por ky proces do të marrë shumë kohë dhe mund të mos krijojë pengesa.

Rama në unison me Melonin, zgjedh seancën e fundit parlamentare
Kalendari i Kuvendit

Sipas kësaj marrëveshje, Shqipëria duket se i jep Italisë kontroll total në Gjadër dhe në Shëngjin. Brenda kampeve do të jenë italianët ata që do të bëjnë ligjin, ndërsa Shqipëria do të kujdeset për sigurinë jashtë.

Palët bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij Protokolli, nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 (tre mijë). Strukturat e përmendura në pikën 1, menaxhohen nga autoritetet kompetente të palës italiane, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian. Mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet këtyre autoriteteve dhe subjekteve që do të akomodohen në strukturat e sipërpërmendura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian”, thuhet në pakt.

Më tej bëhet me dije se marrëveshja do të zgjasë 5 vite, por me të drejtë rinovimi. Pra me pak fjalë së paku emigrantë do vijojnë të strehohen për 5 vite, por mund të zgjasë dhe më shumë.

"Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet. Me përjashtim të rasteve kur njëra nga Palët i komunikon me paralajmërim të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë Protokoll, ky i fundit do të rinovohet në formë të heshtur për një periudhë tjetër 5-vjeçare”, thuhet më tej.

Sipas paktit, shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të migrantëve do të mbulohen tërësisht nga pala italiane. /Pamfleti

Lini një Përgjigje