
Në një konferencë për mediat nga Kryeministria, kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se është hera e parë që drejtësia vepron vetë dhe jo sipas urdhrave nga politika.
Ai deklaroi se e mbështet punën e drejtësisë pa kushte, teksa shtoi se SPAK është e para strukturë drejtësie e pavarur në historinë e shtetit shqiptar.
“Së pari, SPAK ka ngjallur shumë polemika, siç shihet, sepse SPAK ka trazuar, një ujë të ndenjur prej 100 e kusur vitesh. Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që ekziston një prokurori, një grup prokurorësh, që bën atë që i thotë mendja, nuk ka pasur ndonjëherë, derisa sa është krijuar. Prokurorët dhe prokuroria kanë bërë çfarë i kanë thënë pushteti ekzekutiv. SPAK ka krijuar shumë polemika, që nga ata që thonë që janë shpëtimtarët e kombit, te ata që thonë është mjet represioni që e përdor Rama. Këta të dytët, unë i kuptoj që janë në hall, por nuk i ndihmoj dot. SPAK është e para strukturë drejtësie e pavarur në historinë e shtetit shqiptar.
Unë personalisht mendoj që detyra ime është që qeveria ta mbështesë SPAK pa kushte. Pa kushte, do të thotë që edhe kur mund të kemi edhe gjëra për të thënë, të mbyllim gojën, sepse bëhemi pjesë e një polemike që nuk e ndihmon SPAK të bëjë punën e vet. Më tutje, koha do të na tregojë, që sa dhe si gjërat ecin dhe a mund të bëhen më mirë akoma”, theksoi Rama.
Ndërsa i pyetur nëse ka dijeni që SPAK ka hapur sërish çështje për 21 janarin, Rama deklaroi ende nuk ka një informacion të tillë, teksa theksoi se shpreson që sa më shpejt SPAK të nisë hetimin.
“Në kujtesën time kur ka ndodhur 21 janari unë i kam pasur flokët e zeza, tani i kam plotësisht të bardha. Siç dhe ju e shikoni. Edhe një nga të mirat e kësaj të keqe të pashmangshme, është që kam mësuar diçka që as e ndjera nëna ime nuk mendonte që unë do ta mësoja ndonjëherë. Është durimi.
Ashtu siç ne nuk kemi ndonjë instrument të ndalojmë njerezit të çmendën apo të ndezin flakadanë në kuvend, apo të luajnë si fëmijët. Kështu që nuk kemi asnjë instrument dhe i vetmi instrument është durimi”, tha Rama.
Lini një Përgjigje