
Me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, protestuesit u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë. Në një tubim të organizuar nga opozita, u dëgjuan edhe thirrje si “Rama ik” dhe “Rama në burg”.
Në krye të protestuesve ndodhen lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe drejtues të tjerë të opozitës.
Deputetë dhe mbështetës i janë bashkuar në tubim, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se detaje të mëtejshme mbi vijimin dhe skenarin e protestës do të bëhen të ditura gjatë zhvillimit të saj.
Menjëherë pas grumbullimit, protesta është shoqëruar me tensione. Sipas raportimeve nga terreni, një pjesë e protestuesve kanë hedhur fishekzjarre dhe molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Në përgjigje, forcat e policisë kanë ndërhyrë duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Situata para godinës qeveritare mbetet e tensionuar, me prani të shtuar të forcave të rendit.
Lini një Përgjigje